Në Hagë, policia holandeze përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit që kundërshtonin ardhjen e migrantëve.
-
30 persona u arrestuan dhe 2 policë u plagosën gjatë përplasjeve ku u hodhën gurë e shishe, ndërsa një automjet policie u dogj.
-
Rreth 1.500 protestues bllokuan autostradën kryesore që kalon përmes qytetit.
Protesta u organizua nga aktivistë të djathtës ekstreme, të cilët kërkojnë politika më të ashpra për azilin dhe ndalimin e ndërtimit të qendrave pritëse. U thyen edhe xhamat e selisë së partisë qendër-majtas D66, megjithatë askush nuk ndodhej brenda në momentin e sulmit.
Lideri i ekstremit të djathtë, Geert Wilders – favorit për zgjedhjet e 29 tetorit – nuk mori pjesë, por e dënoi dhunën kundër policisë, duke e quajtur “plotësisht të papranueshme” dhe vepër të “idiotëve”.
Kriza politike për migracionin çoi në shpërbërjen e qeverisë në qershor, pasi Wilders tërhoqi partinë e tij PVV nga koalicioni, duke kërkuar 10 masa të reja të ashpra për azilin, përfshirë ngrirjen e kërkesave dhe ndalimin e bashkimit familjar.