Hill: Marrëveshja e Ohrit nuk nënkupton që Serbia e njeh Kosovën

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha se Marrëveshja e Ohrit nuk nënkupton njohje, por normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përcjell Reporteri.net.

Hill tha për portalin “Bujanovacke” se Serbia e ka përmbushur një pjesë të mirë të asaj marrëveshjeje dhe më e rëndësishmja që mbetet është gjetja e mënyrës që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, siç theksoi ambasadori, Serbia ka të drejtë në Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Në Kosovë ata e shohin Asociacionin si një lloj Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, por Asociacioni nuk ka ngjashmëri me Bosnje-Hercegovinën. Megjithatë, të gjithë kanë të drejtën e mendimit të tyre, por jo të shtrembërojnë faktet. Serbisë dhe serbëve në Kosovë para së gjithash ju intereson për arsimin dhe shëndetësinë dhe përmes Asociacionit kanë të drejtë ta bëjnë këtë”, tha Hill.

Ai ka theksuar se kuptimi i Marrëveshjes së Ohrit është “normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Që njerëzit duke kaluar nëpër pikat kufitare nuk mendojnë për politikë, por për rritjen e cilësisë së jetës së tyre”, tha ai.

Ai theksoi se beson në normalizim pasi siç tha ai “çdo gjë është e mundur nëse njerëzit duan të flasin”./Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi