Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se opozita duhet të bashkohet për ta bërë Qeverinë e re të Kosovës.
Haradinaj në një deklaratë për Kosova Press ka thënë se kanë pasur komunikim të ndërsjellë me opozitën, por jo ndonjë avancim konkret në këtë drejtim.
Ai ka përjashtuar çdo mundësi të bashkëpunimit me Kurtin për qeverinë e re.
“Besoj që veç shihet se shumicën e ka opozita, kuptohet pas afateve kushtetuese opozita mund ta krijojë qeverinë. Besoj kjo është ajo që na takon neve si opozitarë, që të bashkohemi dhe të krijojmë qeverinë nga opozita. Ka komunikim të ndërsjellë, nuk ka ndonjë avancim konkret për shkak se janë edhe afatet kushtetuese por besoj ka gatishmëri që të ecim”, deklaroi Haradinaj.
Gjatë ditës së djeshme edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi nuk e përjashtoi mundësinë që opozita të angazhohet për formimin e Qeverisë së re.
Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi tha se fillimisht kryeministrit Kurti i takon që ta mandatojë qeverinë, dhe nëse ai dështon ta bëjë një gjë të tillë PDK është e gatshme t’i formojë institucionet.
Ai tha se ende nuk kanë folur me opozitën, por që është i hapur në komunikim me ta.
“Jemi para një udhëkryqi të madh si një popull, realiteti gjeopolitik po ndryshon në mënyrë rapide, gjërat që në të kaluarën e kemi marrë të mirëqena nuk janë të mirëqena ma, raportet me Serbinë kanë shumë pikëpyetje, krejt rajoni është para ndryshimeve të mëdha”, tha Krasniqi duke përmendur situatën në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, e Serbi.
“Unë besoj se përgjegjësia është shumë e madhe dhe nuk e di që mund të ketë parti të papërgjegjshme që thotë s’ka lidhje çka ndodh me vendin tonë.”, tha ai.
Gjatë së mërkurës ka përfunduar numërimi i votave të zgjedhjes së 9 shkurtit, ndërsa pritet shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre.