Haga liron nga burgu kriminelin e luftës dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së “Herceg-Bosnës”, Bruno Stojić

Bruno Stojić, ish-ministër i mbrojtjes në të ashtuquajturën Herceg-Bosna dhe i dënuar për krime lufte në Bosnje e Hercegovinë, është liruar para kohe nga burgu, pasi kishte marrë dënim prej 20 vitesh nga Gjykata e Hagës.

Ky ishte kërkesa e tretë që mbrojtja e tij i kishte paraqitur Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykata Penale në Hagë për lirimin e parakohshëm, pasi dy kërkesat e mëparshme ishin refuzuar.

Avokatja e tij, Senka Nožica, konfirmoi për median Klix.ba se Stojić është liruar nga njësia e paraburgimit në Austri dhe se tashmë ndodhet në rrugë për në Kroaci.

Stojić ndodhej në paraburgim që nga viti 2004, ku kishte pritur shpalljen e aktgjykimit dhe kishte vuajtur pjesën më të madhe të dënimit, duke u liruar rreth një vit e gjysmë para afatit të plotë.

Si ish-zyrtar i lartë i “Herceg-Bosnës”, Stojić u dënua së bashku me pesë bashkëpunëtorë të tjerë – Jadranko Prlić, Slobodan Praljak, Milivoj Petković, Valentin Ćorić dhe Berislav Pušić – për krime kundër civilëve boshnjakë gjatë luftës.

Të gjashtët së bashku u dënuan me 111 vite burgim në total, në njërin nga proceset më të rëndësishme të Tribunalit të Hagës që trajtoi krimet e kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.

Kategoritë
BotaLajme