Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot në Kuvend në lidhje me Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030″.
Ai ka thënë se po i bëjnë të gjitha përgatitjet, kanë pasur mbledhje të Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare dhe ka thënë se aty janë të pajtimit, por kur përfundojnë mbledhjet, diskutimet që po mbahen aty, po dalin në publik se kush çka ka votuar.
“Mungesa e unitetit të brendshëm na ka sjellë në këtë pikë ku edhe po rrezikohet organizimi i Lojërave Mesdhetare. Jam optimist, por optimist i përmbajtur, sepse kush bën mirë nuk e ka kollaj të shtyhet me dikë që e bën të kundërtën”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se bashkëpunimi i tyre me KOK-un ka qenë tejet i mirë, por ka thënë se kjo nuk ka qenë edhe me Komunën e Prishtinës dhe, sipas tij, prandaj është kjo situatë.
“Është tepër mirë që e kemi marrë përgjegjësinë për këto lojëra, 10 komuna të Kosovës me Durrësin, planifikimi për investime, libri me çka kemi fituar duhet të zbatohet në plotni, këtu ka edhe mospajtime, mosbesime, është situata në të cilën ndodhen, do ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme, por do ta bëjmë pa korrupsion. Kjo është më e rëndësishme. Vonesat kryesore janë sepse ligji për Lojërat Mesdhetare ka qëndruar në Kushtetuese shumë gjatë dhe neve na ka bllokuar. Në mungesë të këtij ligji është dashur të shqyrtohen modalitetet e planit B dhe C që kanë sjellë me vete më shumë probleme sesa zgjidhje”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se libri me të cilin kanë aplikuar është shumë i mirë, gjithëpërfshirës për Kosovën dhe i ndërtuar mbi bazën e projekteve edhe pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030″. Mirëpo, sipas tij, ajo që ka ndodhur është se drafti i masterplanit që u ka ardhur është në shpërputhje me librin me të cilin kanë aplikuar.
“Kjo diferencë është diskutuar në mbledhjen e votuar të KOLM-it dhe kemi votuar që të korrigjohet, por me shumicë votash. Unë pres nga çdo organ dhe institucion i Kosovës që t’i shterim organet brenda, kur ta kemi votimin ta respektojmë atë si vendim, sepse shumica e mori një drejtim të caktuar. Kjo nuk po ndodh, e kemi një deformim të draftit të masterplanit nga libri me të cilin kemi aplikuar dhe ky deformim parasheh përjashtimin e plotë të Rrafshit të Dukagjinit dhe unë kam qenë kundër kësaj. Nuk mund ta paramendoj që gara për xhudo të mos mbahet në Pejë, është paraparë të mbahet në Prishtinë. I kemi investuar 5 milionë euro për xhudo në Pejë dhe tash t’i mbajmë garat në Prishtinë. Këto i kemi dakorduar në mbledhjen e KOLM-it, kemi vendosur ashtu, por nuk po jemi unikë pas marrjes së vendimit dhe kjo është problem”, ka shtuar Kurti. /Lajmi.net/
