Reprezentuesi kroat dhe lojtari i Manchester City-t, Joshko Gvardiol, në vend se të shkojë në destinacione luksoze, vendosi të kalojë pushimet në Kroaci. Mes fotove që publikoi nga pushimet, njëra prej tyre tërhoqi vëmendje të veçantë.
Bëhet fjalë për një fotografi të shtëpisë së vjetër të Luka Modriç-it, të cilën Gvardiol e vizitoi dhe në derën e saj simbolikisht vendosi fanellën e kapitenit të përfaqësueses.
Gjest i tij ngjalli emocione dhe entuziazëm tek tifozët, duke kujtuar fillimet e vështira të Modriç-it dhe gjithçka që ai ka arritur.
Kjo shtëpi, që ndodhet në Zaton Obrovaçki, në shpatet e Velebitit, i përkiste gjyshit të Modriç-it, gjithashtu i quajtur Luka. Pikërisht aty Luka kaloi fëmijërinë duke ruajtur dhi dhe duke jetuar një jetë të thjeshtë, para se të niste rrugëtimin e tij në futboll.
Shtëpia u shkatërrua gjatë luftës në vitin 1991, kur gjyshi i Modrić-it u vra, ndërsa shtëpia u dogj. Familja Modriç më pas u largua drejt Zadarit, ku për një kohë jetuan nëpër hotele si refugjatë.
Sot, shtëpia është në gjendje të rrënuar, pa asnjë shenjë që të tregojë rëndësinë e saj. Edhe pse turistët që vizitojnë Zatonin shpesh kërkojnë vendlindjen e futbollistit të famshëm, gjejnë vetëm një ndërtesë të braktisur dhe pa informacione.
Megjithatë, Agjencia për Zhvillim e Qarkut të Zadarit “ZADRA NOVA” ka nisur një iniciativë për restaurimin e shtëpisë dhe shndërrimin e saj në një qendër interpretimi me ekspozita, dyqan suveniresh dhe përmbajtje informuese. Projekti ende nuk ka marrë miratimin e familjes Modrić, ndërsa shtëpia formalisht i përket shtetit, pasi nuk ka qenë pronë private.