Guardiola tërheq vëmendjen e njerëzimit tek gjenocidi në Gaza: Nuk bëjmë asgjë për këtë tragjedi

Një nga trajnerët më të mirë të të gjitha kohërave, Pep Guardiola, në një intervistë për revistën spanjolle GQ tha se ndihet i lumtur që bën punën që do.

Ai nuk humbi rastin të përmendë përsëri vuajtjet përmes të cilave kalojnë njerëzit në Palestinë, të cilët janë nën bombardimet e përditshme izraelite, që po sjellin një numër të madh të vdekurish. Gjithashtu, Izraeli ndalon hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, çka e zemëroi edhe më shumë yllin spanjoll, i cili dëshiron t’ua tregojë botës çfarë po ndodh në Palestinë.

“Jam i lumtur, sepse punoj me disa prej njerëzve më cilësorë në botë, jam i lumtur që punoj me njerëz të shëndetshëm, si futbollistët. Unë kam qenë futbollist dhe i dua shumë. Më kanë dhënë shumë dhe kam pasur shumë përplasje me disa prej tyre, por e kuptoj sepse janë qenie njerëzore dhe kanë ndjenja, megjithëse sot duket sikur jo”, tha Guardiola, dhe shtoi: “Nuk duket kështu për atë që po ndodh në Ukrainë apo Palestinë, na mungon njerëzillëku të gjithëve. Nuk bëjmë asgjë për tragjedinë që është vetëm tre apo katër orë larg nesh, por vazhdojmë të luajmë futboll. Sepse shumë vjet më parë ndodhën Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore, por nuk kishte mënyrë për t’i treguar ato. Ishin të fshehura. Sot e shohim gjithçka në televizion live dhe nuk kemi asnjë grimë mirëkuptimi ndaj tyre. Pyetemi si t’i zgjidhim.”

Për t’u rikujtuar, OKB-ja më parë ka paralajmëruar se Gaza përballet me “nivel të tmerrshëm vdekjesh dhe shkatërrimesh” dhe ka kërkuar që Izraeli të lejojë “një përmbytje ndihmash” drejt këtij qyteti.

Guardiola iu bashkua Manchester Cityt në vitin 2016, duke zëvendësuar Manuel Pellegrinin, dhe që atëherë ka fituar një sërë trofesh, përfshi gjashtë tituj në Premier League, katër Kupat e Ligës, dy FA Cup dhe një Champions League.

Kategoritë
Sport