Pas vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje për ta mandatuar kandidatin e saj për kryeministër, Glauk Konjufca, ky i fundit është deklaruar lidhur me hapat e ardhshëm institucionalë dhe situatën politike në vend.
Ai shtoi se kostoja e mundshme e zgjedhjeve do të ishte rreth 40 milionë euro dhe se shmangia e tyre është në interes publik të shtetit të Kosovës.
“Kur të vijë koha e presidentit, prapë mund të kemi zgjedhje. Prandaj, në këtë moment është më mirë të kemi një qeveri funksionale”, deklaroi Konjufca, duke theksuar rëndësinë e arritjes së një konsensusi politik, sidomos për miratimin e buxhetit të Republikës së Kosovës.
Ai apeloi që partitë opozitare të kontribuojnë në këtë drejtim, për të shmangur zgjedhjet në dhjetor dhe për të siguruar votimin e buxhetit, që sipas tij është i domosdoshëm edhe për funksionimin e RTK-së, ku “qindra punëtorë mund të mbesin pa paga” në rast të bllokimit institucional.
Konjufca përfundoi duke theksuar se nuk do të ketë qeveri me koalicione, por synim është krijimi i një qeverie të qëndrueshme që do të adresojë prioritetet e shtetit. /Indeksonline/













