Gjykatat njohin të drejtën për pensione të dyfishta, shteti refuzon zbatimin

Kategoritë e dala nga lufta po detyrohen të ndjekin rrugë ligjore për çështjen e pensioneve të dyfishta. Në kohën kur po arrijnë moshën 65-vjeçare, atyre u duhet të zgjedhin mes dy pensioneve.

Ka disa vendime gjyqësore që këtyre kategorive ua ka njohur të drejtën për pension të dyfishtë. Megjithatë, secili individualisht duhet të ndjekë rrugë ligjore për realizimin e kësaj kërkese.

Pjesëtarë të kategorive të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, viktimave të dhunës seksuale, përkundër arritjes së moshës dhe punës disavjeçare, nuk e gëzojnë të drejtën e pensionit kontributpagues. Kjo ndodh me arsyetimin se nuk iu takon të marrin më shumë se sa një pension, shkruan KP.
Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin 2020 kishte vendosur në favor të një invalidi civil të luftës.

Lidhur me këtë, KosovaPress ka pyetur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Syla thotë se është obligim për institucionet që të respektojnë vendimet e gjykatave.

“Kemi plot raste që e kanë fituar këtë të drejtë përmes gjykatës, kur kanë shkuar për të aplikuar në ministri, ministria ka thënë nuk e pranojmë këtë dokumentacion, e dimë që keni të drejtë sepse e paskeni vendimin e gjykatës, por neve na ka thënë ministri në këtë rast apo kabineti i ministrit të Financave që të mos pranojmë këto lëndë, që është një e padrejtë tjetër…

Organizata me degët e saj që i kemi në çdo qytet iu është ofruar veteranëve dhe ju kemi thënë që mos humbni shumë kohë për të shkuar secili me gjet nga një avokat por ejani tek ne në zyre, grumbulloni këtë dokumentacion pastaj ne do ta kontraktojmë një avokat për të procesuar në gjykatë”, deklaron ai.

Në vitin 2021 edhe një e mbijetuar e dhunës seksuale e paditi shtetin për të drejtën e përfitimit të dy skemave pensionale, atë të pensionit të moshës dhe atij si viktimë civile e luftës.

Fatmire Haliti, e cila është juriste në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), tregon se vitin e kaluar tri të mbijetuarave të dhunës seksuale iu njoh e drejta për pension të dyfishtë.

“Kështu që në vitin 2024 për herë të parë rastet e QKRMT-së, tri të mbijetuarve të dhunës seksuale iu njoh e drejta për pension të dyfishtë. Pra, pensione si viktima civile të luftës si dhe pensionin e moshës dhe atyre kontribut-dhunës të atyre që kanë punuar.

Këto vendime u vërtetuan nga Gjykata e Apelit në vitin 2025, pra në këtë vit, dhe tani këta tre të mbijetuar të dhunës seksuale kanë filluar ta marrin pensionin e dyfishtë si dhe t’iu kompensohet gjithë ata muaj që iu ka mohuar kjo e drejtë. Respektivisht për këta tre të mbijetuar, Departamenti i Pensioneve apo shteti i Kosovës ka kompensuar mbi 24 mijë euro për kohën e pritjes dhe mohimit të kësaj të drejte”, thotë ajo.

Edhe pse Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta përcakton se përfitues të pensionit të viktimave të dhunës seksuale të luftës mund të jenë edhe shfrytëzuesit e pensionit bazë, që është i rregulluar me Ligjin për skemat pensionale, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës janë detyruar të heqin dorë nga pensioni i moshës apo ai i viktimës, sepse shteti nuk i ka lejuar të marrin dy pensionet.

“Fatkeqësisht deri më tani në procedurën që është duke u zhvilluar, secili rast duhet individualisht të bëjë padi në gjykatë, në mënyrë që gjykata t’ia njohë këtë të drejtë sepse Departamenti i Pensioneve nuk ia njeh të drejtën e pensioneve të dyfishta. Arsyeja pse nuk ju njihet kjo e drejtë është Ligji për Skemat Pensionale të Kosovës, neni 16 i këtij ligji, i cili ua mohon pensionistëve të marrin më shumë se një pension nga skemat pensionale të Kosovës.

Megjithatë, sikurse edhe vendimet e gjykatës ku është konstatuar se pse këta persona kanë të drejtën në pensionet që ju takojnë, sepse ligji me të cilin ju njihen të drejtat e viktimave të luftës nuk e ndalon një gjë të tillë. Pra, në ligj është specifikisht e përcaktuar se personat e moshuar të cilët e gëzojnë pensionin bazë mund të jenë shfrytëzues të pensionit nga skemat e luftës, nëse i plotësojnë kriteret dhe kushtet tjera”, shprehet ajo.

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për KosovaPress, se Ministria e Financave nuk po e respekton standardin e krijuar nga gjyqësori.

“Gjykata ka thënë se këtyre kategorive nuk duhet t’iu mohohet e drejta në përfitimin e dy pensioneve. Dhe tash është e vërtetë që rasti konkret, rastet konkrete i referohen vetëm personit i cili e ka ngritur padinë, mirëpo në bazë të këtyre rasteve shteti, përkatësisht në rastin konkret Ministria e Financave tanimë e di se cili është kuptimi i këtij ligji dhe cila do të jetë vendimmarrja e gjykatës në këto raste dhe çfarë është dashur që të bëjnë në këto raste është dashur që të gjitha këtyre kategorive t’iu njihen dy pensione për shkak se tanimë është e qartë se në raste të njëjta se cili do të jetë vendimi i gjykatës.

Fatkeqësisht nuk është ndjekur kjo çështje dhe Ministria e Financave nuk e ka respektuar këtë standard të vendosur nga ana e gjykatave dhe këtyre kategorive ua ka refuzuar të drejtën në pensionin e dyfishtë dhe i ka detyruar palët që të shkojnë në gjykatë dhe që të ngrisin padi. Vetëm ne si qendër për ndihmë juridike i kemi deponuar mbi një mijë padi të këtyre kategorive në gjykatë”, shton ai.

Këto raste mund të kenë pasoja të ndryshme, përfshirë edhe kosto për vetë shtetin, thotë ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani.

“Nëse Gjykata Supreme në vendim ka konstatuar se ju takojnë pensionet e dyfishta, institucionet kompetente duhet ta zbatojnë këtë standard që ka krijuar Gjykata Supreme dhe gjithë atyre kategorive që vijnë në moshën kur duhet të aplikojnë për pensione të tilla duhet t’ua aprovojnë. Mos të krijojnë situata të tilla që ata të iniciojnë procedura gjyqësore, të krijojnë shpenzime sepse ato shpenzime përpos për palët që detyrohen të iniciojnë kontekste gjyqësore janë edhe për institucionet sepse kamatat e shpenzimet duhet t’i paguajë shteti. Për të gjitha ato kategori që ndërkohë e arrijnë moshën e pensionimit, ku Gjykata Supreme është shprehur në vendimin e saj se kanë të drejtë për pensione të dyfishta dhe duhet ta realizojnë”, deklaron ai. /KP/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi