Gjykata Rajonale e Hamburgut ka njoftuar se ka ndaluar përkohësisht revistën javore gjermane Der Spiegel të publikojë pretendimin se presidenti serb Aleksandar Vučić ka qenë i lidhur me të ashtuquajturin “Sarajevo Safari”. Der Spiegel ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi.
Vendimi u mor pasi Vuçiq nisi procedura ligjore kundër revistës. Aktgjykimi është nxjerrë më 18 maj dhe lidhet me një artikull të publikuar nga Der Spiegel më 17 mars të këtij viti.
Në artikull pretendohej se Vuçiq, si pjesëtar i forcave paramilitare serbe të stacionuara në Varrezat Hebraike të Sarajevës gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, kishte pasur kontakte me persona të huaj të cilët paguanin për të qëlluar me snajper ndaj civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës.
Suzana Vasiljević, këshilltare e Vuçiqit, deklaroi se ky vendim paraqet një konfirmim të rëndësishëm se edhe kur bëhet fjalë për figura të ekspozuara politikisht, ekzistojnë standarde të qarta për raportim të përgjegjshëm dhe profesional, veçanërisht në rastet kur publikohen akuza të rënda dhe të pabazuara që mund të dëmtojnë seriozisht reputacionin e një personi.
Ajo theksoi se vendimi i gjykatës tregon rëndësinë e respektimit të standardeve profesionale të gazetarisë dhe verifikimit të fakteve para publikimit të akuzave të tilla.










