Kryediplomati serb Marko Gjuriq dhe shefi i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën Petar Petkoviq kanë reaguar pas deklaratave të Presidentes Osmani lidhur me kërcënimet nga Serbia ndaj Kosovës.
Petkoviq, ka shkruar në platformën X se Osmani e kishte paralajmëruar në mënyrë spektakulare konferencën e saj, por shton se nuk tha asgjë përveç “gënjeshtrave”
“Osmani e kishte paralajmëruar në mënyrë spektakulare një konferencë për ditë me radhë. Përveç frazave boshe dhe gënjeshtrave, nuk tha asgjë me kuptim. U dridh mali, polli miu!”
Ndërsa kryediplomati serb Marko Gjuriq, ka thënë se Osmani ka lënë politikën për të shkruar filma fantastiko-shkencorë për Netflix.
“Pak humor sot nga Prishtina në formën e deklaratës së Vjosa Osmanit për një invazion të supozuar nga Serbia. Zonja Osmani, duket, e ka lënë politikën dhe ka gjetur punë të re—si skenariste për filma fantastiko-shkencorë për Netflix. Përsëri na ka ‘zbuluar’ planet tona të errëta për të pushtuar territorin tonë,” ka shkruar Gjuriq.
Ai ka përmendur edhe ambasadorin amerikan Richard Grenell, duke thënë se ai “ia tregoi vendin Osmanit për këto gënjeshtra”.
“Më thoni, a është edhe Albin Kurti pjesë e këtij plani pushtimi? Kur në të njëjtën kohë që ne ‘po përgatitim invazionin’, ai po ndërton tre ura të reja nga veriu në jug të Kosovës?” ka shkruar ndër të tjera Gjuriq në platformën X