Komanda e Mbrojtjes Ajrore dhe Kozmike të Amerikës së Veriut (NORAD) njoftoi se avionët luftarakë amerikanë të mërkurën kanë kapur katër mjete fluturuese ruse pranë Alaskës.
Sipas njoftimit, radarët zbuluan dy bombardues të tipit Tu-95 dhe dy gjuajtës Su-35 brenda hapësirës ajrore identifikuese të Alaskës (ADIZ). Në aksionin e kontrollit dhe kapjes u përfshinë nëntë avionë amerikanë, mes tyre katër gjuajtës F-16, një avion mbikëqyrës E-3 Sentry dhe katër avionë KC-135 për furnizim me karburant në ajër.
Nga NORAD theksuan se mjetet fluturuese ruse nuk hynë në hapësirën ajrore sovrane të SHBA-së apo Kanadasë dhe se aktivitete të tilla konsiderohen të zakonshme, pa përbërë kërcënim të drejtpërdrejtë. Ky është incidenti i nënti i këtij lloji që komanda konfirmon publikisht prej fillimit të vitit.
Ngjarja ndodhi një ditë pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se beson që Ukraina mund të rikthejë gjithë territorin e humbur nga Rusia, gjë që përbën një ndryshim të madh krahasuar me mesazhet e tij të mëparshme për lëshime ndaj Moskës me qëllim përfundimin e luftës.