Jose Mourinho rikthehet te Benfica, lajm që mbrëmë e konfirmoi gazetari i njohur i futbollit, Fabrizio Romano, me thirrjen e tij të famshme “Here we go”.
Portugezi kështu kthehet në klubin ku para 25 vitesh nisi karrierën e tij të pavarur si trajner, pas ndarjes së fundit nga Fenerbahçe.
Në stol do të zëvendësojë Bruno Lage, i cili u shkarkua pas humbjes së papritur nga Qarabag në fillim të Ligës së Kampionëve.
Mourinho në vendlindje arriti sukseset më të mëdha me Porton, me të cilin fitoi Ligën e Kampionëve, e më pas kaloi te Chelsea.
Veçanërisht interesante është se pikërisht Benfica këtë sezon e eliminoi nga Liga e Kampionëve ndërsa drejtonte Fenerbahçen.
Sipas mediave, Mourinho do të nënshkruajë kontratë dyvjeçare, dhe firmën pritet ta vendosë që sot.
Kështu “Special One” kthehet në atdhe pas 21 vitesh të kaluara në stolat e klubeve më të mëdha evropiane.