Në paradën ushtarake të mbajtur në Pekin u prezantua raketa më e re interkontinentale balistike e ushtrisë kineze me shifrën DF-61, për të cilën nuk ka shumë detaje përveç faktit se është e bazuar në një lëshues transportues me 16 rrota.
Automjeti i madh transportues dhe lëshues me 16 rrota parakaloi në Pekin duke bartur këtë raketë të re, që pritet të përfaqësojë shtyllën kurrizore të forcës bërthamore penguese të Kinës.
Duke qenë se përdor një automjet transportues me përmasa të ngjashme me raketën balistike interkontinentale DF-41, ekspertët amerikanë kanë bërë një analizë krahasuese bazuar në specifikat e njohura.
Raketa më e vjetër DF-41 u prezantua për herë të parë publikisht në paradën e vitit 2019, megjithëse zhvillimi i saj dyshohet se ka filluar para vitit 2000, ndërsa në përdorim operativ ka hyrë rreth vitit 2017.
DF-41 ka gjatësi rreth 20 metra, rreze veprimi të vlerësuar midis 12.000 – 15.000 kilometrave, dhe mund të mbajë deri në 10 koka bërthamore të pavarura (MIRV) me fuqi deri në 650 kilotona secila.
Edhe pse nuk ka konfirmime zyrtare, duke marrë parasysh të dhënat e deritanishme, raketa DF-61 shihet si një modernizim gjenerativ i raketës DF-41.
Për krahasim: bomba bërthamore e hedhur mbi Hiroshimë në gusht 1945 kishte fuqi prej vetëm 15 kilotonash. Nëse DF-61 ka aftësi për të bartur gjashtë koka luftarake prej 650 kilotonash secila (pa rritje të numrit të kokave krahasuar me DF-41), atëherë secila kokë është e barasvlershme me 40 Hiroshima. Në total, gjashtë koka të tilla do të kishin fuqi shkatërruese sa 240 bomba të Hiroshimës.
Një detaj interesant është se e gjithë gjenerata e raketave balistike interkontinentale të ushtrisë kineze bart emërtimin DF – Dong Feng, që në kinezisht do të thotë “Era e Lindjes”.