Kancelari Olaf Scholz i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të pajtohet me një armëpushim të menjëhershëm dhe të tërheqë trupat ruse nga Ukraina
Gjermania premtoi vazhdim të mbështetjes për Ukrainën kundër ofensivës së Rusisë në vend, por përjashtoi mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kancelari Olaf Scholz sqaroi pozicionin e qeverisë së tij gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin kanadez Justin Trudeau në Berlin.
“Ne duhet të mendojmë me shumë kujdes se çfarë mund të bëjmë konkretisht, dhe sigurisht që avionët luftarakë nuk janë pjesë e kësaj”, tha ai, pasi Polonia ofroi të dorëzonte të gjithë avionët e saj luftarakë MIG-29 në një bazë amerikane në Gjermani, për përdorim nga Ukraina.
Scholz kujtoi se Gjermania tashmë ka ofruar pajisje ushtarake dhe armë mbrojtëse për Ukrainën dhe do të shqyrtojë me kujdes hapat e saj të ardhshëm, në konsultim me aleatët.
Ai i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të pajtohet me një armëpushim të menjëhershëm dhe të tërheqë trupat ruse nga Ukraina.
“Ajo që na duhet tani është një zgjidhje diplomatike”, theksoi ai.
“Ne shpresojmë se mund të gjendet një zgjidhje në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës dhe se ne mund të identifikojmë një rrugë që do të na çojë në daljen nga kjo krizë”, shtoi kancelari gjerman.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, provokoi reagime të ashpra ndërkombëtare dhe çoi në sanksione serioze financiare kundër Moskës.
Të paktën 474 civilë janë vrarë dhe 861 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës dhe më shumë se 2,1 milionë qytetarë janë larguar nga Ukraina.