Gjermania e ka rihapur të enjten ambasadën e saj në Damask, 13 vjet pasi ishte mbyllur në ditët e para të luftës civile në Siri.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e rihapi zyrtarisht ambasadën gjatë një vizite në Damask – të dytën që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Asad në dhjetor, raportoi agjencia gjermane e lajmeve dpa.
Gjermania, si një nga fuqitë udhëheqëse të Bashkimit Evropian, ndjek shembullin e disa vendeve anëtare të BE-së. Italia kishte rihapur ambasadën e saj vitin e kaluar para rënies së al-Asadit, ndërsa Spanja e rihapi atë pas rrëzimit të tij.
Baerbock, përpara mbërritjes në Siri, deklaroi se udhëtimi i saj ka për qëllim të përcjellë mesazhin se është “i mundur një fillim i ri politik mes Evropës dhe Sirisë, mes Gjermanisë dhe Sirisë”.
“Ai fillim i ri, megjithatë, vjen me pritshmëri të qarta që në Siri të ketë liri, siguri dhe mundësi për të gjithë – për gratë dhe burrat, për njerëzit e të gjitha grupeve etnike dhe feve”, shtoi ajo.
Përleshjet këtë muaj mes forcave besnike të al-Asadit dhe trupave të sundimtarëve të rinj të vendit kanë shkaktuar dhunën më të rëndë që nga lufta civile, duke lënë rreth 1.000 të vrarë – shumica prej tyre anëtarë të komunitetit alavit, pakica nga e cila rridhte edhe vetë al-Asadi.
Baerbock deklaroi se këto përplasje “kanë kushtuar shumë për sa i përket besimit” dhe se qeveria kalimtare nën presidentin e përkohshëm Ahmad al-Sharaae “duhet të ketë kontroll mbi veprimet e grupeve brenda radhëve të saj dhe të sjellë përgjegjësit përpara drejtësisë”.
Qeveria e përkohshme nënshkroi këtë muaj një marrëveshje me autoritetet kurde që kontrollojnë verilindjen e vendit. Baerbock e përshëndeti këtë marrëveshje si “historike” dhe theksoi se duhet përfshirë edhe grupe të tjera për t’u ndjerë “pjesë e Sirisë së re”.