Gjermania ka deklaruar se mbetet e përkushtuar ndaj synimit për mbështetjen e krijimit të një shteti të pavarur palestinez, por për momentin ka refuzuar ta njohë shtetësinë.
“Qëllimi ynë është shteti palestinez. Ne e mbështesim zgjidhjen me dy shtete. Nuk ka mënyrë tjetër. Megjithatë, kjo duhet të arrihet me negociata. Në këtë moment askush nuk duhet të bëjë politikë me kokë për muri”, tha ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul para gazetarëve në Berlin, në prag të vizitës në New York, ku do të marrë pjesë në takimin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ai theksoi se rruga e mirëkuptimit, pajtimit dhe negociatave mbetet e vështirë, një rrugë e mesme e mundimshme.
“Megjithatë, Republika Federale e Gjermanisë angazhohet për këtë. Sado larg të duket në këtë moment, zgjidhja me dy shtete përmes negociatave është rruga që mund t’u mundësojë izraelitëve dhe palestinezëve të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet”, shtoi ai.
Duke marrë parasysh se Britania e Madhe, Kanadaja, Australia dhe Portugalia të dielën e njohën zyrtarisht Palestinën, pritet që më shumë vende, përfshirë Francën, Maltën dhe Luksemburgun, të ndjekin këtë shembull në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë.
Pritet që liderët të marrin pjesë edhe në një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të çështjes palestineze dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete.