Gazetarët Ismail Erel dhe Cemil Albay u ndaluan gjatë bastisjes së policisë gjermane në zyrën e gazetës Sabah në Frankfurt, ku ndodhet qendra e lajmeve të kësaj gazete për Evropë
Janë liruar gazetarët turq, Ismail Erel dhe Cemil Albay, të cilët u arrestuan më herët gjatë ditës në Gjermani, transmeton Anadolu.
Gazetarët u ndaluan gjatë bastisjes së policisë gjermane në zyrën e gazetës Sabah në Frankfurt, ku ndodhet qendra e lajmeve të kësaj gazete për Evropë.
Mësohet se policia gjermane ka bastisur shtëpitë e dy gazetarëve, si dhe zyrën për Evropë të gazetës Sabah, ndërsa ka konfiskuar kompjuterë dhe telefona gjatë bastisjes.
Nuk është dhënë asnjë informacion për qëllimin e bastisjes.
Ministria e Jashtme e Türkiyes dhe organizatat profesionale ndërhynë për lirimin e dy gazetarëve.
Ankaraja zyrtare dënoi ashpër ndalimin pa arsye të përfaqësuesve të Byrosë së Frankfurtit të gazetës “Sabah” nga policia gjermane.
Në deklaratë, ku theksohet se ky aksion i Gjermanisë “që synon t’i japë një mësim mbarë botës” për lirinë e medias dhe të shprehjes, nxjerr në pah standardin e dyfishtë.
Gjithashtu thuhet se në Gjermani u ndërmorën iniciativat e nevojshme në lidhje me çështjen dhe se është përcjellë reagimi i fortë tek ambasadori i Gjermanisë në Ankara, Jürgen Schulz, i cili është thirrur sot në ministri.
