Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjenerali Eyal Zamir, ka deklaruar se fitorja në fushëbetejë nuk kërkon vetëm forcë ushtarake, por edhe bashkëpunim mes ushtrisë dhe udhëheqjes politike.
Kjo deklaratë vjen pasi Zamir, sipas raporteve, fillimisht i ishte kundërvënë planeve të qeverisë për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës, edhe pse më vonë i kishte miratuar, si dhe pas një përplasjeje publike me ministrin e mbrojtjes, Israel Katz, lidhur me vendimin e kreut të IDF-së për të kryer emërime në pozita të larta ushtarake.
“Në çdo kohë, por veçanërisht gjatë kohës së luftës, lidhja mes majës politike dhe asaj ushtarake është boshti qendror i sigurisë kombëtare”, tha Zamir në ceremoninë e dorëzimit të detyrës për shefin e Kolegjit Ushtarak të IDF-së.
Ai shtoi se ofensiva e ushtrisë izraelite do të çojë në kolapsin e aftësive ushtarake dhe drejtuese të Hamasit.