Gjeneral gjerman paralajmëron: Rusia mund të sulmojë territorin e NATO-s në çdo moment

Një zyrtar i lartë ushtarak gjerman ka paralajmëruar se Rusia disponon kapacitet për një sulm të kufizuar ndaj territorit të NATO-s në çdo moment, megjithëse vendimi për të vepruar do të varet nga reagimi i aleatëve perëndimorë.

Gjeneral-lejtënant Alexander Sollfrank, kreu i Komandës Gjermane për Operacione të Përbashkëta dhe përgjegjës për planifikimin e mbrojtjes, tha në një intervistë për Reuters se, duke marrë parasysh aftësitë aktuale luftarake të Moskës, një sulm i vogël, i shpejtë dhe i kufizuar rajonalisht është i mundshëm “që nga nesër”. Ai theksoi se një sulm i gjerë është më pak i mundshëm për shkak të angazhimit të Rusisë në Ukrainë.

Sollfrank, i cili kryeson këtë komandë që nga themelimi i saj në 2024, ripërsëriti gjithashtu paralajmërimet e NATO-s se Rusia mund të kryejë një sulm me përmasa të mëdha ndaj aleancës deri në vitin 2029 nëse programet e saj të rearmatosjes vazhdojnë pa pengesa.

Duke folur në selinë e komandës pranë Berlinit, ai vuri në dukje se, megjithë dështimet në fushëbetejë në Ukrainë, forcat ajrore ruse ruajnë një kapacitet të konsiderueshëm luftarak, dhe shërbimet e tyre bërthamore dhe raketore mbeten të fuqishme. Ai nënvizoi gjithashtu se, megjithëse flota e Detit të Zi ka pësuar humbje, flotat të tjera ruse nuk janë dëmtuar ndjeshëm.

“Krahas humbjeve të forcave tokësore, Rusia po synon të rrisë shifrën e përgjithshme të ushtarëve të saj në 1.5 milionë, dhe disponon mjaft tanke kryesore luftarake që e bëjnë të mendueshëm një sulm të kufizuar edhe që nesër,” tha Sollfrank, pa pretenduar se po planifikohet aktualisht një sulm i tillë.

Ai kujtoi ndryshimin strategjik të Berlinit — nga misionet ekspedicionare drejt përgatitjes për mbrojtjen territoriale të NATO-s — dhe përmendi vendimin e fundit të qeverisë për të lehtësuar kufirin kushtetues të borxhit për t’i përmbushur objektivat e shpenzimeve ushtarake të NATO-s (3.5% të PBB-së deri në 2029). Kjo do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes të Gjermanisë në rreth 160 miliardë euro në 2029, ndërsa forcat do të zgjerojnë stafin me 60,000 ushtarë duke arritur rreth 260,000 efektivë.

Sollfrank tha se tre faktorë do të përcaktojnë nëse Moska do të vendosë të sulmojë NATO-n: kapaciteti ushtarak rus, efikasiteti luftarak dhe vullneti i udhëheqjes.

“Këta tre faktorë më çojnë në përfundimin se një sulm rus në rajon është i mundshëm. Nëse ai do të ndodhë, shumë varet nga sjellja jonë,” u shpreh ai, duke iu referuar përpjekjeve të NATO-s për të kundërmarrë dhe parandaluar një agresion.

Gjenerali theksoi gjithashtu se taktikat hibride të Rusisë, duke përfshirë sulmet me dronë dhe veprime të tjera jolineare, duhet të shihen si pjesë e një strategjie të lidhur që mund të paraprijë përdorimin e armëve konvencionale ose edhe kërcënimin me armë bërthamore.

“Ruset e quajnë këtë luftë jolineare. Në doktrinën e tyre, këto veprime paraprijnë përdorimin konvencional dhe shërbejnë si kërcënim, përfshirë edhe kërcënimin bërthamor — është luftë përmes frikësimit,” tha Sollfrank.

Sipas tij, synimi i Moskës përmes këtyre operacioneve është të provokojë NATO-n, të testojë reagimin e saj dhe të krijojë pasiguri dhe dëme, duke e përdorur si mjet për spiunazh dhe matje të qëndrueshmërisë së aleancës.

Kategoritë
BotaLajme