Gjashtë kandidatë të ekstremit të djathtë AfD-së vdesin në mënyrë misterioze para zgjedhjeve në Gjermani

Në landin gjerman Renania Veriore-Vestfalia, më të madhin në perëndim të vendit, gjatë javëve të fundit kanë ndërruar jetë gjashtë kandidatë të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), pak para zgjedhjeve lokale të caktuara për 14 shtator.

Policia ka njoftuar se nuk ka asnjë provë për dhunë apo rrethana të dyshimta, duke theksuar se bëhet fjalë për shkaqe natyrore ose për raste ku familjet nuk kanë dashur të zbulojnë detaje. Megjithatë, vdekja e kandidatëve do të thotë se duhet të shtypen fletëvotime të reja, ndërsa një pjesë e zgjedhësve që kanë votuar me postë do të duhet të votojnë përsëri.

Renania Veriore-Vestfalia ka rreth 18 milionë banorë dhe për zgjedhje janë paraqitur afërsisht 20 mijë kandidatë. Ministria e Brendshme e këtij landi kujtoi se edhe kandidatë nga parti të tjera – si Të Gjelbrit dhe Socialdemokratët – kanë ndërruar jetë në këtë periudhë.

Fillimisht u raportua për katër kandidatë të vdekur nga AfD-ja, por më pas u konfirmua edhe për dy kandidatë rezervë, gjë që nxiti një mori teorish konspirative në rrjetet sociale.

Kryetarja e përbashkët e AfD-së, Alice Weidel, e ushqeu më tej këtë spekulim duke shpërndarë pretendimin e ekonomistit të pensionuar Stefan Homburg se një numër i tillë vdekjesh është “statistikisht pothuajse i pamundur”. Megjithatë, Kay Gottschalk, zyrtari i dytë i AfD-së në Renaninë Veriore-Vestfalia, pranoi se “informacionet e deritanishme nuk i mbështesin këto dyshime” dhe bëri thirrje për kujdes, për shkak të familjeve të të ndjerëve.

Shërbimi gjerman i inteligjencës në maj e shpalli AfD-në organizatë të ekstremit të djathtë, por kjo etiketë është aktualisht e pezulluar për shkak të një ankese në gjykatë. Ndërkohë, në tre lande lindore, degët rajonale të AfD-së mbeten të kategorizuara zyrtarisht si ekstremiste.

AfD pret rritje të mbështetjes në zgjedhjet lokale që konsiderohen si testi i parë i opinionit publik pas formimit të qeverisë së re federale. Në zgjedhjet e fundit të landit më 2022, partia mori vetëm 5,4% të votave, ndërsa në zgjedhjet federale të shkurtit 2025 në të njëjtën zonë arriti në 16,8%.

Mbështetje për AfD-në kanë shprehur edhe disa figura të njohura të së djathtës amerikane, të cilat akuzojnë qeverinë gjermane për përpjekje për të shtypur partinë me mjete burokratike. Mes tyre është edhe miliarderi Elon Musk, i cili tashmë ka mbështetur politikat antimigracion të AfD-së. Musk së fundmi ka deklaruar:
“O Gjermania do të votojë për AfD-në, ose kjo do të jetë fundi i Gjermanisë.”

 

Kategoritë
BotaLajme