Presidenti amerikan Donald Trump mbajti sot një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin britanik Keir Starmer gjatë vizitës së tij në Londër.
Starmer në fillim tha se kishin diskutuar për forcimin e mbrojtjes, mbështetje shtesë për Ukrainën dhe për “rritjen vendimtare të presionit mbi Putinin që të pranojë një marrëveshje paqeje që do të zgjasë”.
Trump: Mendova se do të ishte më e lehtë me Putinin
Trump përsëriti se synimi i tij është ndalimi i pushtimit rus në Ukrainë, duke theksuar se kishte pritur që kjo të ishte “më e lehta” falë marrëdhënieve të tij me Vladimir Putinin.
“Por ai më zhgënjeu. Më zhgënjeu vërtet,” tha Trump.
Ai shtoi se do të “shohim si do të zhvillohet kjo” dhe shprehu bindjen se një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës do të arrihet, edhe pse “në luftë kurrë nuk e di”.
“Ndodhin gjëra krejt të kundërta me atë që mendon. Mendon se do të jetë e lehtë ose e vështirë, por del ndryshe,” tha Trump.
Gazetarja: A është koha ta shtypni Putinin e ta frikësoni? Trump: Po
Një gazetare britanike e pyeti Trumpin nëse kishte gabuar kur më herët e kishte ftuar Putinin në Alaskë dhe nëse pendohej për këtë. “Jo,” u përgjigj Trump.
Kur u pyet nëse është koha tani ta shtypë dhe ta frikësojë, duke vendosur sanksione, ai u përgjigj shkurt, duke tundur kokën: “Po.”
Trump: Rusët po vdesin më shpejt se ukrainasit
Në një pyetje shtesë për Putinin, Trump përsëriti se ai e kishte zhgënjyer dhe deklaroi: “Sinqerisht, ushtarët rusë po vdesin më shpejt se ukrainasit.”
Ai foli edhe për konflikte të tjera në botë, për të cilat tha se ka merita në ruajtjen e paqes, e më pas u kthye te Ukraina: “Shpresoj që së shpejti të kemi disa lajme të mira për ju,” tha ai.
“Pushtimi mund të kishte çuar në Luftën e Tretë Botërore”
“Do t’ju them këtë: miliona njerëz kanë vdekur në atë luftë, miliona shpirtra, dhe ata nuk janë amerikanë. Janë kryesisht ushtarë që po vriten në përmasa që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndihem i detyruar ta zgjidh këtë për këtë arsye,” tha Trump.
Ai përsëriti disa herë se pushtimi rus i Ukrainës mund të kishte “çuar në Luftën e Tretë Botërore”, por tani beson se kjo nuk do të ndodhë.
Starmer kërkon presion mbi Putinin
Kryeministri britanik nënvizoi nevojën për të vazhduar shtimin e presionit mbi liderin rus. Ai kujtoi edhe incidentin e javës së kaluar kur dronët rusë hynë në hapësirën ajrore polake.