Në Serbi, në territorin e komunës së Kanjižës, sot në mëngjes është gjetur eksploziv, siç njoftoi presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić. Eksplozivi u gjet pranë gazsjellësit përmes të cilit transportohet gazi natyror drejt Hungarisë, gjë që bëri që të reagojë menjëherë edhe kryeministri i këtij vendi, Viktor Orbán.
Pas publikimit të lajmit, disa gazetarë hulumtues hungarezë kanë theksuar se një incident i tillë ishte paralajmëruar, duke iu referuar të dhënave të inteligjencës të bëra publike disa javë më parë.
Më konkretisht, ata pretendojnë se bëhet fjalë për një operacion “false flag”, pra një incident i rremë për të cilin fajësohet kundërshtari, ndërsa në fakt organizohet nga vetë aktori.
Sipas këtyre gazetarëve, Orbán e ka “porositur” këtë incident për shkak të zgjedhjeve të ardhshme.
Njëri prej tyre, Balázs Kaufmann, në rrjetin social X publikoi një mesazh të datës 28 shkurt, që e kishte marrë nga një burim brenda qeverisë hungareze, ku paralajmërohej një ngjarje e tillë.
“Në tre javët e ardhshme, serbët ose rusët do të kryejnë një ‘sulm’ ndaj interesave hungareze. Kjo është ajo që dimë për momentin. Qëllimi i Viktor Orbánit është të shpallë gjendje të jashtëzakonshme. Kanë hequr dorë nga ideja për një operacion brenda vendit, por Orbán ende këmbëngul në këtë”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Kaufmann.
Në postimet e gazetarëve të tjerë hungarezë në X thuhet gjithashtu se Serbia është zgjedhur si vend për këtë incident për shkak të marrëdhënieve të ngushta mes Orbánit dhe Vučićit, si dhe faktit se të dy vendet janë në vit zgjedhor dhe kriza të tilla shpesh u shkojnë për shtat strukturave në pushtet.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Orbánin, i cili po përballet me kundërshtarin më serioz që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2010. Péter Magyar dhe partia e tij Tisza, sipas shumicës së sondazheve parazgjedhore, kanë një epërsi të madhe dhe pritet të fitojnë zgjedhjet e 12 prillit.
Pikërisht për këtë arsye, sipas gazetarëve hungarezë, Orbán ka zgjedhur këtë rrugë, me shpresën se reagimi i publikut do të shkojë në favor të tij.










