“Gaza është kthyer në varrezë”, OKB flet hapur: Rajoni po qan për paqe

Shefi i të drejtave të njeriut i Kombeve të Bashkuara shpreh alarm për “retorikën e hapur gjenocidale” nga zyrtarët izraelitë në lidhje me Gazën dhe bën thirrje për veprime vendimtare ndërkombëtare për “t’i dhënë fund masakrës”.

Ai thotë se enklava palestineze është tashmë “një varrezë”.

Izraeli ka mohuar se po kryen gjenocid në Gaza, duke pohuar se operacionet ushtarake janë të përqendruara në mposhtjen e grupit terrorist Hamas dhe shpëtimin e pengjeve, shkruajnë mediat e huaja.

Në fjalimin e tij hapës në sesionin e 60-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Volker Turk kritikoi ashpër “vrasjen masive të civilëve palestinezë në Gaza nga Izraeli (dhe) shkaktimin e vuajtjeve të papërshkrueshme dhe shkatërrimin e plotë”.

“Vrasjet masive të civilëve palestinezë në Gaza nga Izraeli; shkaktimi i vuajtjeve të papërshkrueshme dhe shkatërrimi i plotë; pengimi i ndihmës së mjaftueshme shpëtuese dhe uria pasuese e civilëve; vrasja e gazetarëve, stafit të OKB-së dhe punonjësve të OJQ-ve dhe kryerja e krimeve të luftës mbi krimet e luftës, po tronditin ndërgjegjen e botës”, tha ai.

Ndryshe, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut theksoi se gati dy vjet pas shpërthimit të luftës pas masakrës vdekjeprurëse të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, “rajoni po qan për paqe”.

“Gaza është një varrezë.” /Telegrafi/

Kategoritë
BotaLajme