“Frymo Lirshëm” – Një kampanjë që po ndryshon qasjen ndaj shëndetit mendor në shkolla

Shëndeti mendor për shumë të rinj në Kosovë ende mbetet një temë e vështirë për t’u folur. Stigmatizimi, mungesa e përkrahjes profesionale dhe qasja e kufizuar në shërbime psikologjike e bëjnë edhe më të vështirë adresimin e kësaj sfide. Por një grup të rinjsh nga Mitrovica kanë vendosur të mos rrinë duarkryq.

Të udhëhequr nga Mehmet Salihu dhe me përkrahje nga projekti ReLOaD2 i UNDP-së në Kosovë, ata kanë nisur kampanjën “Frymo Lirshëm” — një nismë e cila synon të sjellë frymë të re në trajtimin e shëndetit mendor në shkolla dhe në komunitet.

Në kuadër të kampanjës në Mitrovicë janë organizuar një sërë aktivitetesh vetëdijësuese me të rinjtë, që nga punëtoritë në shkolla, diskutimet me profesionistë të shëndetit mendor, deri te përfshirja në rrjete sociale për të shpërndarë mesazhe pozitive dhe përkrahëse.

Në fazën e saj të re, “Frymo Lirshëm” synon të zgjerohet në 27 komuna të Kosovës, duke ndërtuar rrjete të bashkëpunimit me të rinj, shkolla dhe institucione lokale. Një prej qëllimeve kryesore të kampanjës është pajisja e çdo shkolle të mesme me një psikolog shkollor./Gazeta e R/VP

Kategoritë
LajmeTë ndryshme