Më shumë se 100 demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan votuan për bllokimin e miliarda dollarëve ndihmë ushtarake për Izraelin. Nisma përfundimisht dështoi, por tregoi përçarjet gjithnjë e më të mëdha brenda Partisë Demokratike lidhur me këtë çështje.
Të mërkurën, 103 demokratë mbështetën amendamentin për bllokimin e ndihmës, të propozuar nga kongresisti republikan Thomas Massie, një kritik i kahershëm i presidentit Donald Trump dhe skeptik ndaj mbështetjes amerikane për Izraelin. Amendamenti u mbështet edhe nga një republikan tjetër.
Megjithatë, propozimi u hodh poshtë me 314 vota kundër dhe 104 pro. Kundër amendamentit votuan 98 demokratë, ndërsa 10 prej tyre abstenuan ose nuk mbajtën qëndrim për këtë çështje.
Edhe tre udhëheqësit më të lartë demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve ishin të ndarë. Lideri i pakicës demokrate, Hakeem Jeffries, dhe kryetari i Grupit Demokrat, Pete Aguilar, votuan kundër amendamentit, ndërsa zëvendësja e liderit demokrat, Katherine Clark, votoi në favor të tij.
Demokratët progresistë përshëndetën atë që e cilësuan si një ndryshim të madh brenda partisë së tyre, duke theksuar se për herë të parë shumica e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve votoi për bllokimin e miliarda dollarëve ndihmë ushtarake për Izraelin.
Dy vjet më parë, kur u votua për një propozim të ngjashëm, vetëm 37 demokratë kishin mbështetur bllokimin e ndihmës për Izraelin.
“Mendoni për një çast. Duke filluar nga sot, shumica e demokratëve në këtë ndërtesë refuzoi të votojë për dërgimin e armëve me vlerë miliarda dollarë ushtrisë izraelite. Kjo i dërgon një mesazh të fuqishëm Netanyahut se ditët e dhënies së pakontrolluar të çekut të bardhë për luftërat dhe krimet e tij të luftës, të paktën sa i përket Partisë Demokratike, kanë përfunduar”, deklaroi pas votimit kongresisti Greg Casar, kryetar i Grupit Progresist në Kongres.
Kongresistja Ilhan Omar tha se gjatë votimit, së bashku me kolegen Rashida Tlaib, anëtaren e vetme të Kongresit me prejardhje palestineze, kishte reflektuar mbi rëndësinë e atij momenti.
“Kur erdhëm këtu, një ditë si kjo dhe një votim si ai i sotmi nuk dukej se mund të ndodhte”, tha Omar.




















