Shoqata e Juristëve për Respektimin e së Drejtës Ndërkombëtare (JURDI) paraqiti një ankesë në Gjykatën Administrative të Parisit, duke akuzuar shtetin francez për dështimin në përmbushjen e detyrimit për të parandaluar gjenocidin në Gaza.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Juristëve për Respektimin e së Drejtës Ndërkombëtare (JURDI), Benjamin Fiorini, ka njoftuar se shoqata ka ngritur një padi në Gjykatën Administrative të Parisit kundër qeverisë franceze për dështimin në parandalimin e gjenocidit të Izraelit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Ndërsa sulmet e Izraelit ndaj Gazës vazhdojnë, Franca është përballur me kritika për dyshimin se vazhdon të dërgojë pjesë armësh në Izrael, për pritjen e presidentit Izraelit, Isaac Herzog dhe për lejimin e aeroplanit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të fluturojë mbi territorin francez.
Në demonstratat pothuajse javore në Paris dhe qytete të tjera franceze, mbështetësit pro-palestinezë brohorasin slogane të tilla si “Izraeli vrasës, Macron bashkëpunëtor”, duke bërë thirrje për sanksione kundër Izraelit.
Të martën, JURDI paraqiti një ankesë në Gjykatën Administrative të Parisit, duke akuzuar shtetin francez për dështimin në përmbushjen e detyrimit të tij për të parandaluar gjenocidin në Gaza.
Në një deklaratë për Anadolu, Fiorini tha: “Ne ia kemi referuar çështjen Gjykatës Administrative të Parisit, duke i kërkuar asaj të dënojë shtetin francez për dështimin në përmbushjen e detyrimit të tij për të parandaluar gjenocidin në Gaza”.
Fiorini theksoi se detyrimi për të parandaluar gjenocidin është i sanksionuar në Konventën e 9 dhjetorit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit, nënshkruese e së cilës është Franca, dhe është ligjërisht e detyrueshme për të gjitha shtetet, përfshirë Francën.