MISIONI detar i Bashkimit Evropian, i udhëhequr nga Italia, hipi sot në një cisternë që dyshohet se është pjesë e të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë. Kjo ishte ndërhyrja e dytë e tillë në më pak se dy javë, ndërsa Evropa po e shton mbikëqyrjen ndaj anijeve që dyshohet se e ndihmojnë Moskën t’i anashkalojë sanksionet ndaj naftës.
Ministria italiane e Mbrojtjes njoftoi se “Toa Payoh”, një cisternë ndaj së cilës zbatohen sanksionet e BE-së, u ndalua në perëndim të ishullit Pantelleria, pranë Sicilisë, ndërsa po lundronte nga Benini drejt Stambollit.
Sipas një burimi të njohur me operacionin, anija lundron nën flamurin e Kamerunit vetëm që nga java e kaluar. Autoritetet detare nisën një inspektim për të verifikuar nëse cisterna ka të drejtë ligjore të lundrojë nën flamurin kamerunas dhe nëse dokumentet e saj të regjistrimit janë të vlefshme.
Inspektimi zgjati rreth dy orë
Burimi theksoi se misioni detar i BE-së, i quajtur EUNAVFOR MED Irini, nuk ka kompetencë t’i konfiskojë anijet gjatë inspektimeve të tilla, që do të thotë se “Toa Payoh” nuk është ndaluar.
Megjithatë, dokumentacioni i mbledhur gjatë hipjes në anije ende po shqyrtohet dhe autoritetet kombëtare mund ta përdorin atë për një konfiskim të mëvonshëm, nëse kjo vlerësohet e nevojshme.
Kapiteni i “Toa Payoh” fillimisht nuk bashkëpunoi me misionin e BE-së. Për këtë arsye, një ekip i personelit ushtarak italian hipi në anije nga një helikopter që ishte ngritur nga “Thaon di Revel”, anija kryesore e misionit EUNAVFOR MED.
Inspektimi, i realizuar me mbështetjen e një anijeje greke dhe një avioni polak të patrullimit detar, zgjati rreth dy orë dhe përfundoi në mënyrë të sigurt, njoftoi ministria. Deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga Rusia.
BE-ja vendosi sanksione ndaj shumë anijeve
Operacioni i sotëm pasoi ndërhyrjen e 20 korrikut ndaj anijes “MV South Star”, një tjetër cisternë e lidhur me flotën ruse në hije. Forcat e misionit Irini e inspektuan atë nën dyshimin se gjithashtu po lundronte nën një flamur të rremë.
Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj shumë anijeve për të cilat pretendon se janë pjesë e “flotës në hije” që Rusia e përdor për t’i anashkaluar kufizimet ndaj eksportit të naftës, të vendosura pas pushtimit të Ukrainës.
EUNAVFOR MED Irini është një mision detar i BE-së, i nisur në vitin 2020 për zbatimin e embargos së Kombeve të Bashkuara ndaj armëve të destinuara për Libinë.
Qeveritë e vendeve të BE-së që atëherë e kanë zgjeruar fushëveprimin e tij, duke e autorizuar misionin të kryejë inspektime përmes hipjes në anije.



















