Forcat amerikane kryen gjatë natës sulme në disa lokacione në provincat jugore të Iranit, ndërsa shpërthime u dëgjuan në Ahvaz, Bandar Abbas, Qeshm dhe Chabahar. Për shkak të situatës, spitali onkologjik i fëmijëve në Ahvaz u evakuua urgjentisht.
Sulmet, të cilat nisën vonë të mërkurën dhe vazhduan deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes, kishin në shënjestër provincat Khuzestan, Hormozgan, si dhe Sistan e Baluchistan.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, CENTCOM, konfirmoi se kishte nisur një valë të re sulmesh, duke deklaruar se objektivat ishin kapacitete ushtarake iraniane, për të cilat pretendohet se janë përdorur për të rrezikuar trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit.
Në Ahvaz, sipas zëvendësguvernatorit të Khuzestanit përgjegjës për çështjet e sigurisë, janë konfirmuar të paktën pesë goditje me raketa. Njëra prej tyre goditi një zonë pranë spitalit Baghaei, një institucion i specializuar për trajtimin e fëmijëve të prekur nga kanceri.
Shpërthimet thyen xhamat e shtëpive përreth, ndërsa familjarët e pacientëve të vegjël, të kapluar nga paniku, u drejtuan me nxitim drejt spitalit.
Universiteti lokal i mjekësisë njoftoi se mbi 200 pacientë u transferuan në spitale të tjera të qytetit, ndërsa spitali u nxor përkohësisht jashtë funksionit. Zyrtarët shëndetësorë deklaruan se asnjë pacient nuk ishte lënduar, transmeton Mehr.
Shpërthime u dëgjuan edhe në ishullin Qeshm, ku intensiteti i sulmeve u rrit para agimit. Një pjesë e detonimeve vinte nga zonat bregdetare, si dhe nga ujërat e Ngushticës së Hormuzit dhe Gjirit Persik.
Në provincën Sistan dhe Baluchistan u raportuan tri shpërthime të fuqishme në Chabahar, ndërsa detonime të tjera u regjistruan në Rask dhe në qytetin portual Konarak.
Edhe banorët e Bandar Abbasit raportuan se gjatë natës kishin dëgjuar shpërthime të fuqishme.




















