Një ish-ministre kroate, e cila tashmë kishte qenë e dënuar për korrupsion, mori një dënim tjetër për përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian në mënyrë të pahijshme, duke shpenzuar mijëra euro për darka luksoze.
Gabrijela Zalac, e shkarkuar nga posti i ministres së fondeve të BE-së në Kroaci në mes të vitit 2019, u gjykua dhe u dënuar me shtatë muaj burg për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, njoftoi Zyra Evropiane e Prokurorit Publik (EPPO).
Që nga marrja e pushtetit nga kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq në 2016, disa ministra të partisë konservatore HDZ janë larguar nga detyra për shkak të akuzave për korrupsion.
Sipas EPPO-së, e cila ka kompetencë për hetimin e keqpërdorimeve të fondeve të BE-së, Zalac shpenzoi rreth 10 mijë euro në restorante në të paktën nëntë raste të veçanta. Mediat kroate raportuan se disa nga këto shpenzime ishin për festimin e ditëlindjes së saj të 40-të, financuar me fonde të BE-së.
Zalac, e arrestuar për herë të parë në vitin 2021, pranoi fajësinë dhe rimbursoi shumën e shpenzuar.
Në muajin qershor, ajo gjithashtu pranoi fajin për keqpërdorim të detyrës dhe ndikim të paligjshëm lidhur me blerjen e një sistemi të ri IT për ministrinë që drejtonte.
Për këtë akt, ajo u dënu me dy vite burg dhe u pajtua të paguajë 200 mijë euro si pjesë të kompensimit për keqpërdorimin e më shumë se 1.3 milion eurove.