Flotilja Globale “Sumud” tha të martën se anijet e saj janë përballur me ngacmime të përsëritura në det, duke raportuar shpërthime, dronë të paidentifikuar dhe bllokime komunikimi ndërsa konvoji humanitar lundron drejt Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Në një postim në kompaninë amerikane të mediave sociale X, flotilja tha se dronët janë shfaqur “përafërsisht çdo 10 minuta” mbi një anije të quajtur “Alma”, e cila është pjesë e konvojit që synon të arrijë në Gaza dhe të sfidojë bllokadën e paligjshme të Izraelit.
“Ne besojmë se këto dronë kanë për qëllim të frikësojnë, potencialisht të mbledhin inteligjencë për Izraelin”, tha grupi.
Flotilja më vonë i përshkroi incidentet si “operacione psikologjike” për të frikësuar aktivistët.
“Masat të cilat Izraeli dhe aleatët e tij do të ndërmarrin për të zgjatur tmerret e urisë dhe gjenocidit në Gaza janë të neveritshme. Por, vendosmëria jonë është më e fortë se kurrë. Këto taktika nuk do të na pengojnë nga misioni ynë për të dërguar ndihmë në Gaza dhe për të thyer rrethimin e paligjshëm”, tha grupi në mediat sociale.
Raportuesja speciale e OKB-së, Francesca Albanese kërkoi veprime urgjente, duke paralajmëruar nga llogaria X se flotilja “është sulmuar 7 herë në një kohë të shkurtër”, duke përmendur bomba zanore, flakë shpërthyese, spreje të dyshuara kimike dhe thirrje të bllokuara për ndihmë.
“Nevojitet vëmendje dhe mbrojtje e menjëhershme ndërkombëtare!”, shkroi ajo.
Aktivistja Yasemin Acar, duke postuar një video në X tha: “Sulmi i 9-të. Jemi nën sulm në ujërat ndërkombëtare”. Në një mesazh të veçantë në Instagram nga “Alma”, ajo raportoi “15 deri në 16 dronë të mëdhenj” që fluturojnë sipër kokës dhe tha se radiot po bllokohen.
Flotilja Globale “Sumud”, e emëruar sipas fjalës arabe për “qëndrueshmëri”, përbëhet nga më shumë se 50 anije që transportojnë njerëz nga vende të ndryshme, përfshirë mjekë, gazetarë dhe aktivistë. Iniciativa synon të sfidojë bllokadën e Izraelit dhe të dërgojë ndihmë humanitare në Gaza.
Autoritetet izraelite nuk kanë komentuar mbi raportet e fundit, megjithëse flotiljet e kaluara të ndihmës janë kapur.
Izraeli ka vrarë më shumë se 65.300 palestinezë gjatë ofensivës brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me zi buke.