Një flotilë anijesh me ndihma humanitare dhe aktivistë u nis në fillim të shtatorit nga Barcelona drejt Rripit të Gazës, me synim thyerjen e bllokadës së gjatë izraelite të këtij territori palestinez nga deti, dhe tani ndodhet vetëm disa ditë larg të ashtuquajturës “vija portokalli”.
Gjatë këtij udhëtimi, ata janë përballur me kushte të vështira atmosferike, ndërsa mbrëmë ishin në gatishmëri për shkak të aktivitetit të shtuar të dronëve.
Siç deklaroi Kieran Andrieu, i cili ndodhet në njërën prej këtyre anijeve, gjithçka ka kaluar mirë që nga nata e kaluar. Aktualisht, pjesë e kësaj flotile janë 39 anije, ndërsa disa prej tyre janë lënë në Siçili.
“Tani jemi vetëm pesë ditë larg ‘vijës portokalli’, ku mund të përballemi me ndërhyrjen e Izraelit, dhe një javë larg Gazës”, tha ai.
Ai shtoi se janë zhvilluar disa trajnime për rastin e një presretimi, duke vënë theksin tek jo-dhuna.
Kujtojmë se edhe në fillim të qershorit një flotilë anijesh ishte nisur drejt Gazës, por u pengua pasi Izraeli mori kontrollin mbi të dhe ekuipazhi u deportua.