Florida do të fillojë gradualisht heqjen e të gjitha vaksinave të detyrueshme për fëmijët, njoftoi guvernatori Ron DeSantis, duke vazhduar politikën e tij kundër masave shëndetësore të imponuara gjatë pandemisë COVID-19.
DeSantis të mërkurën prezantoi gjithashtu themelimin e një komisioni shtetëror të quajtur “Make America Healthy Again” (Ta bëjmë Amerikën sërish të shëndetshme), i cili, duke ndjekur shembullin e iniciativave të ngjashme në nivel federal, do të promovojë të ashtuquajturën “liri mjekësore” të qytetarëve.
Kirurgu shtetëror Joseph Ladapo i quajti detyrimet ekzistuese për vaksinim në shkolla dhe çerdhe si “ndërhyrje imorale në të drejtat e njeriut, në kufi me skllavërinë”. Sipas tij, prindërit duhet të kenë të drejtën të vendosin vetë për shëndetin e fëmijëve të tyre.
“Njerëzit kanë të drejtë të marrin vendime të informuara vetë. Askush nuk ka të drejtë t’ju urdhërojë se çfarë do të fusni në trupin tuaj. Kjo e drejtë nuk duhet t’u merret,” tha Ladapo në një konferencë për media në Valrico, në rajonin e Tampës.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Floridës, vaksinat që aktualisht janë të detyrueshme për fëmijët në shkollat publike dhe çerdhe përfshijnë ato kundër fruthit, lisë së dhenve (varicela), hepatitit B, poliomielitit, difterisë, tetanozit dhe kollës së mirë (pertusis). Ladapo theksoi se synimi është të hiqen “të gjitha, deri te e fundit” vaksina e detyrueshme, megjithëse pranoi se për një pjesë të masave do të nevojitet edhe vendim i trupit legjislativ të Floridës.
Nëse plani zbatohet, Florida do të bëhet shteti i parë amerikan që heq një numër kaq të madh vaksinash të detyrueshme.
DeSantis deklaroi se komisioni i ri, të cilin do ta kryesojë zëvendësguvernatori Jay Collins dhe zonja e parë e Floridës, Casey DeSantis, do të punojë për forcimin e të drejtave prindërore në marrjen e vendimeve shëndetësore, për promovimin e ushqyerjes së shëndetshme dhe “eliminimin e dogmave mjekësore që nuk mbështeten në të dhëna”.
“Ne po e largojmë qeverinë nga jeta juaj,” tha Collins.
Guvernatori njoftoi se rekomandimet e komisionit do të shërbejnë si bazë për një paketë të madhe ligjesh mbi lirinë mjekësore, e cila do të shqyrtohet në seancën e ardhshme të legjislativit të Floridës. Paketa do të përfshinte heqjen e vaksinave të detyrueshme të përcaktuara me ligj shtetëror dhe do të ligjëronte përgjithmonë vendimet tashmë të marra kundër masave të detyrueshme për COVID-in.
“Do të jetë një paketë gjithëpërfshirëse,” përfundoi DeSantis.