Presidenti i ri i Sirisë, Ahmed Al-Sharaa, mbajti fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke u bërë lideri i parë sirian që i drejtohet kësaj institucioni pas 60 vitesh.
Al-Sharaa tha se historia e Sirisë është “histori dhimbjeje dhe shprese, e së mirës dhe së keqes” dhe se populli sirian ka rikthyer të drejtat e tij pas dekadash represioni. Ai akuzoi regjimin e mëparshëm të Assadit për vrasjen e mbi një milion njerëzve dhe shkatërrimin e miliona banesave, duke theksuar se populli u organizua për ta rrëzuar “regjimin kriminal” dhe për ta kthyer Sirinë në vend shprese.
Duke iu referuar sulmeve izraelite, presidenti sirian tha: “Politika e Izraelit është kontradiktore dhe rrezikon të ndezë kriza të reja në rajon. Ne jemi të përkushtuar në dialog dhe kërkojmë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Apelojmë për heqjen e plotë të sanksioneve që dëmtojnë popullin sirian. Sirisë i duhet rindërtim i institucioneve që garantojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve.”
Në fund, Al-Sharaa shtoi: “E vërteta erdhi dhe gënjeshtra u zhduk. Populli ynë u ngrit nga robëria për të rikthyer dinjitetin dhe të drejtat. Ne qëndrojmë fort pranë popullit të Gazës dhe kërkojmë që lufta të ndalet menjëherë. Paqja qoftë mbi ju.”