Ministrja e jashtme finlandeze ka thënë se Finlanda mbështet përpjekjet e Gjermanisë për të shtuar presionin ndaj Moskës.
Finlanda do të thërrasë ambasadorin e Rusisë lidhur me një incident me dron në aeroportin e Leipzigut në Gjermani, tha të mërkurën ministrja e Jashtme Elina Valtonen, sipas transmetuesit publik finlandez YLE, transmeton Anadolu.
Valtonen i bëri komentet gjatë mbërritjes së saj në një takim joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Wicklow të Irlandës, duke thënë se Finlanda mbështet përpjekjet e Gjermanisë për të shtuar presionin ndaj Moskës.
Qeveria gjermane tha të martën se Rusia ishte përgjegjëse për një incident, në të cilin në fillim të gushtit pranë një avioni ukrainas transportues në aeroportin e Lajpcigut u gjet një dron që mbante eksplozivë.
Sipas qeverisë gjermane, pranë aeroportit u gjet edhe një dron i dytë, i cili gjithashtu kishte shenja se mbante eksplozivë.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka thënë gjithashtu se BE-ja do të thërrasë ambasadorin e Rusisë në Bruksel lidhur me incidentin.
Suedia ka ndërmarrë një hap të ngjashëm. Ministrja e Jashtme Maria Malmer Stenergard thirri ambasadorin rus në Ministrinë e Jashtme suedeze pas incidentit.
Valtonen për herë të fundit thirri ambasadorin rus në Helsinki, Pavel Kuznetsov, në korrik, lidhur me aktivitetet kibernetike ruse.


















