FIFA ndodhet përballë një sfide serioze në prag të Kampionatit Botëror 2026, i cili do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Dilema kryesore është si do të trajtohet pjesëmarrja e Iranit, një vend që ndodhet në konflikt politik dhe ushtarak me SHBA-në – një nga bashkëorganizatorët e turneut.
Aktualisht, rregullorja e FIFA-s nuk e ndalon Iranin të luajë ndeshje në SHBA, pavarësisht se kjo e fundit ka sanksione dhe ndalime hyrjeje për shtetasit iranianë. Megjithatë, ligjet amerikane parashikojnë disa përjashtime që mund të lejojnë lojtarët, stafin teknik dhe familjarët iranianë të hyjnë për qëllime pjesëmarrjeje në Botëror.
Irani është kualifikuar për herë të katërt radhazi në Kupën e Botës dhe në Katar 2022 ka qenë në të njëjtin grup me SHBA-në. Në turneun e ardhshëm, nëse Irani vendoset në Grupin A, ndeshjet e tij mund të zhvillohen në Meksikë, duke shmangur kështu hyrjen në SHBA.
Por nëse Irani kalon fazën e grupeve, skenari komplikon ndjeshëm situatën. Në fazat me eliminim direkt, shumica e ndeshjeve do të zhvillohen në SHBA – çka do të thotë se Irani mund të përballet me ndalim hyrjeje dhe rreziqe sigurie.
FIFA ende nuk ka bërë asnjë koment zyrtar mbi këtë çështje. Vendimi pritet të merret para shortit të turneut që do të mbahet në dhjetor.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, njihet për marrëdhëniet e tij të mira me ish-presidentin amerikan Donald Trump, administrata e të cilit së fundmi miratoi sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane – duke e bërë situatën edhe më delikate.
Komiteti Organizativ i FIFA-s, që përfshin përfaqësues nga Kanadaja, Meksika dhe Irani, si dhe presidentin e UEFA-s Aleksandër Ceferin, do të luajë një rol kyç në vendimin përfundimtar. Më parë, UEFA e ka shmangur përplasjen mes vendeve në konflikt, si në rastin e Ukrainës dhe Bjellorusisë – një model që mund të ndiqet edhe nga FIFA.
Tashmë, sytë e gjithë botës janë kthyer nga FIFA për të marrë një vendim të mençur që garanton zhvillimin pa pengesa të një turneu global në një kontekst politik gjithnjë e më kompleks.