Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është dënuar me gjobë dhe detyrimin që ndeshja e radhës të luhet me të paktën 20 për qind të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun, mbi sjelljen e tifozëve për ndeshjen Shqipëri-Serbi, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga FSHF-ja thuhet se federata është njoftuar zyrtarisht nga FIFA për një vendim disiplinor pas ndeshjes Shqipëri–Serbi, e zhvilluar më 7 qershor 2025 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Botërorit 2026.
“Sipas vendimit, FSHF-ja dënohet me një gjobë prej 161.500 franga zvicerane dhe detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të luhet me të paktën 20 për qind të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun, për shkak të sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë (këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimi i gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare)”, thuhet në njoftim.
Sipas FSHF-së, ky vendim është një penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik dhe dëmton jo vetëm federatën, por mbi të gjitha Kombëtaren e Shqipërisë. “FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve të Kombëtares që të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën tonë, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë”, theksohet ndër të tjera në njoftim.
Sipas pretendimeve të FIFA-s, në ndeshjen Shqipëri-Serbi, e zhvilluar në Tiranë në muajin qershor, tifozët shqiptarë kanë bërë sjellje të papërshtatshme dhe diskriminuese ndaj Serbisë.
Në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Botërorit 2026, Shqipëria është në grupin K, së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.
Ndeshja e radhës e Shqipërisë në kuadër të këtyre ndeshjeve kualifikuese do të jetë më 9 shtator ndaj Letonisë në Tiranë.