Fëmijët e Bosnjës lëshuan pëllumba të bardhë në qiell për bashkëmoshatarët e tyre të vrarë në Gaza

Fëmijët lanë gjithashtu lule në Monumentin e Fëmijëve të Vrarë, i ndërtuar për fëmijët boshnjakë të vrarë si pasojë e sulmeve serbe midis viteve 1992 dhe 1995.

Në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, Sarajevë, u lëshuan pëllumba të bardhë në qiell për fëmijët e vrarë të Gazës në sulmet izraelite, raporton Anadolu.

Fëmijë nga Bosnjë e Hercegovina morën pjesë gjithashtu në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Sarajevës dhe Ambasada Palestineze në Sarajevë, si pjesë e Ditës Botërore të Paqes, që shënohet më 21 shtator.

Fëmijët lanë gjithashtu lule në Monumentin e Fëmijëve të Vrarë, i ndërtuar për fëmijët boshnjakë të vrarë si pasojë e sulmeve serbe midis viteve 1992 dhe 1995, dhe më pas lëshuan pëllumba të bardhë në qiell.

Ambasadori palestinez në Sarajevë, Rezeq Namoura u tha gazetarëve se ata i dërguan përshëndetje të gjithë popullit palestinez, veçanërisht atyre në Gaza.

Duke theksuar se populli i Sarajevës ishte nën rrethim midis viteve 1992 dhe 1995 dhe se ata mund t’i kuptojnë njerëzit e Gazës, Namoura tha: “Fatkeqësisht, Bosnjë e Hercegovina përjetoi të njëjtën gjë dhe shumë fëmijë humbën jetën. Situata në Gaza është edhe më e vështirë, me dhjetëra mijëra fëmijë që humbën jetën. Palestina nuk do ta harrojë kurrë se kush i qëndroi pranë, kush tregoi solidaritet. Populli ynë aktualisht po përjeton një gjenocid, viktimat më të mëdha të të cilit janë fëmijët dhe gratë. Armiku po demonstron fuqinë e tij mbi civilët, fëmijët dhe gratë e paarmatosur”.

Kryetari i Bashkisë së Sarajevës, Samir Avdiq tha se nga kryeqyteti i tyre po dërgon një mesazh universal paqeje.

Avdiq deklaroi se të gjithë duhet ta shohin se ajo që po ndodh në Gaza nuk është në dobi të njerëzimit. “Nga ky monument, ne mund t’i dërgojmë botës një mesazh paqeje në kujtim të fëmijëve të vrarë në Sarajevë, së bashku me ambasadorin palestinez”, shtoi ai.

Kategoritë
LajmeRajoni