FBI ka mbajtur konferencën për media mbi vrasjen e Charlie Kirk në Utah.
Komisioneri i Departamentit të Sigurisë Publike të Utah, Beau Mason, ishte i pari që foli, shkruan BBC.
Ai tha se hetimi ka bërë “disa përparime”, duke përfshirë edhe mundësinë e gjurmimit të lëvizjeve të të dyshuarit
I dyshuari mbërriti pranë kampusit në orën 11:52 sipas kohës lokale, tha ai, duke shtuar se ekipi ka gjurmuar lëvizjet e tij në kampus, përmes shkallëve deri në çati dhe përgjatë çatisë deri në “vendin e të shtënave”.
“Pas të shtënave, hetuesit kanë gjurmuar lëvizjet e të dyshuarit nëpër ndërtesë, ku ai u hodh nga çatia dhe iku nga kampusi në një lagje”, tha Mason.
Komisioneri tutje tha se: “kemi pamje të mira të këtij individi”, por sipas tij, ato nuk do të publikohen për publikun.
Nëse hetimi nuk ka sukses, Beau Mason thotë se do të kontaktojnë median.
Komisioneri shton se ka folur me gruan e Charlie Kirk, Erika, mbrëmë.
“Familja e tij është e shkatërruar”, thotë ai.
“Mund ta imagjinoj vetëm se çfarë po kalojnë”, shtoi tutje.
I radhës për të folur ishte agjenti special i FBI-së, Robert Bohls.
Ai deklaroi se hetuesit këtë mëngjes kanë gjetur “atë që besojmë të jetë arma që u përdor në të shtënat e djeshme” – një pushkë me fuqi të lartë – në një zonë të pyllëzuar ku autoritetet besojnë se autori i ngjarjes iku.
Bohls falënderoi komunitetin për më shumë se 130 informacionet që FBI ka marrë deri më tani.
Bohls, përgjegjës për këtë ngjarje, thotë se ata kanë imazhe të autorit të ngjarjes dhe nuk besojnë se komuniteti është në rrezik.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga një gazetar, ai thotë se ata po “shterojnë çdo burim” për të gjetur autorin e ngjarjes.
Bohls thotë se ata kanë imazhe të të dyshuarit, por “nuk mund të komentojnë konkretisht për fytyrën e tij”, pasi kjo mbetet pjesë e hetimit. “Do ta publikojmë së shpejti”, shtoi ai.
Ndryshe, sipas zyrtarëve të FBI-së, i dyshuari mund të jetë student.