Europol shkatërron rrjetin evropian të shfrytëzimit të punës: Viktimat mbaheshin në kushte çnjerëzore

Në javët e fundit, Europol, bashkë me policitë kufitare, inspektoratet e punës dhe autoritetet tatimore nga disa vende evropiane, ka zhvilluar një aksion të gjerë ndërkufitar kundër shfrytëzimit të punës dhe trafikimit të njerëzve.

Operacioni përfshiu 22.296 oficerë dhe çoi në arrestimin e 54 personave dhe identifikimin e 404 viktimave potenciale të trafikimit të njerëzve, nga të cilat 393 ishin viktima të shfrytëzimit të punës. Gjatë aksionit u kontrolluan 194.995 subjekte, përfshirë 73.218 persona, 11.815 ambiente pune, 26.412 automjete dhe 83.958 dokumente.

Autoritetet identifikuan 93 persona të dyshuar për trafikim njerëzor, nga të cilët 92 lidhen me shfrytëzim pune, ndërsa 44 prej tyre u arrestuan për këtë vepër penale.

Inspektimet u zhvilluan në sektorë të ndryshëm — hotelieri, gastronomi, shpërndarje ushqimi, përpunim ushqimesh dhe mishi, kujdes shtëpiak, logjistikë, bujqësi, ndërtim dhe miniera. Në shumë raste u zbuluan mospërputhje midis orarit dhe pagës, punë e paregjistruar, punësim i të miturve, strehim i papërshtatshëm, punë e detyruar dhe konfiskim i dokumenteve personale nga punëdhënësit.

Një rast i rëndë u zbulua në Sevilje (Spanjë), ku një shtetas nepalez u identifikua si viktimë e trafikimit për shfrytëzim pune pas një kontrolli në një restorant kebab. Ai jetonte në kushte çnjerëzore dhe të pasigurta higjienikisht. Viktima u shpëtua, u dërgua në polici dhe më pas në strehimore.

Në një rast tjetër, autoritetet zbuluan shtatë shtetas hungarezë, përfshirë një 15-vjeçar, që punonin në ferma derrash në kushte degradante, pa kontrata, pa pagesa dhe pa strehim të përshtatshëm. Pronari i fermës u arrestua dhe u vendos në paraburgim.

Hetimet e tjera zbuluan një rrjet trafikimi nga Rumania drejt Hungarisë, ku persona vulnerabël rekrutoheshin për punë në një fabrikë për përzgjedhjen e mbeturinave; dy persona u arrestuan në Budapest për këtë rast.

Sipas Europol, shumë shtetas nga vendet jashtë BE-së përdorin pasaporta dhe leje qëndrimi të falsifikuara për të hyrë në tregun e punës. Raporti thekson se rasti real i shfrytëzimit të punës mbetet shumë më i madh sesa tregojnë shifrat zyrtare, pasi shumë viktima nuk guxojnë ta raportojnë për shkak të frikës nga ndëshkimi ose dëbimi.

Kategoritë
BotaLajme