Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të hënën deklaroi se Izraeli në Gaza po kryen “gjenocid të plotë” dhe drejtpërdrejt akuzoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për vrasjet.
“Nuk mendoj se mund ta shpjegojmë ndryshe. Ky është një gjenocid i plotë. Dhe këtë gjenocid e ka shkaktuar Netanyahu. Netanyahu, pa mëshirë, për fat të keq ka vrarë dhjetëra mijëra përmes këtij gjenocidi”, tha Erdogan për Fox News në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Ai shtoi se në Gaza janë plagosur mbi 120.000 njerëz dhe se Turqia ka pranuar shumë prej tyre për trajtim.
“Ne jemi plotësisht kundër këtij gjenocidi”, tha ai.
I pyetur për grupin palestinez të rezistencës Hamas dhe pengjet që ata mbajnë, Erdogan hodhi poshtë pretendimet se përgjegjësia bie vetëm mbi Hamasin.
“Ky nuk është një krim i njëanshëm. Do të ishte gabim të akuzohej vetëm Hamasi. Në të njëjtën kohë, si mund të injorojmë atë që ka bërë Netanyahu”, tha ai.
Ai akuzoi Izraelin për sulme pa dallim ndaj civilëve.
“Kur bëhet fjalë për armë, Hamasi nuk mund të krahasohet fare me Izraelin, dhe Izraeli e përdor këtë fuqi pa mëshirë, nga mosha shtatë deri në shtatëdhjetë vjeç – fëmijë, gra, të moshuar. Nuk kanë mëshirë. Dhe këta njerëz po vriten”, tha Erdogan.
Skepticizëm për fundin e luftës
Sa i përket perspektivave për përfundimin e konfliktit, Erdogan u tregua skeptik, duke e krahasuar me luftën e pazgjidhur mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Ndoshta e mbani mend se presidenti amerikan Donald Trump tha: ‘Do ta përfundoj luftën në Ukrainë.’ A u përfundua? Ende vazhdon. Po ashtu tha: ‘Do ta përfundoj luftën në Gaza.’ A u përfundua? Jo”, shtoi ai.
I pyetur nëse e sheh Hamasin si organizatë terroriste, ai e hodhi poshtë këtë ide.
“Nuk e shoh Hamasin si organizatë terroriste. Përkundrazi, e shoh si grup rezistence. Ata përdorin atë që kanë për t’u përpjekur të mbrohen”, tha Erdogan.
Marrëdhëniet me SHBA-në dhe çështja e F-35
Presidenti turk foli edhe për takimin e ardhshëm me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ku pret të diskutojë për programin e ndaluar të avionëve luftarakë F-35.
“Ne jemi partnerë në projektin F-35. Deri tani kemi paguar 1,4 miliardë dollarë. Disa avionë ishin gati për dorëzim, por në momentin e fundit dorëzimi u ndalua. Nuk mendoj se kjo i shkon për shtat një partneriteti strategjik”, tha ai.
Edhe pse SHBA kohët e fundit ka miratuar shitjen e avionëve F-16 për Turqinë, mbeten mosmarrëveshje lidhur me blerjen nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400, gjë që solli përjashtimin e vendit nga programi F-35 dhe sanksione të mëvonshme amerikane.
Erdogan tha se bisedimet në Shtëpinë e Bardhë do të përfshijnë edhe çështjen e dorëzimit të F-16-ave, prodhimin, mirëmbajtjen dhe bashkëpunimin më të gjerë në mbrojtje.
Duke folur për lidhjet ekonomike dhe industriale SHBA–Turqi, ai shfaqi optimizëm.
“Mendoj se ato do të përmirësohen ndjeshëm, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes. Në të njëjtën kohë, në industri dhe teknologji, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara do t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre”, tha ai.
Lufta në Ukrainë
Duke folur për luftën në Ukrainë, presidenti Erdogan theksoi marrëdhëniet e balancuara të Turqisë me të dyja vendet.
“Rusia ka humbje shumë serioze. Ukraina gjithashtu ka humbje shumë serioze, si njerëzore ashtu edhe financiare. Ne nuk do të donim që kjo të kishte ndodhur”, tha ai.
Ai shtoi se Ukraina nuk mund të konkurrojë ekonomikisht me Rusinë dhe se është pak e mundshme që Evropa të mund ta mbështesë Kievin ekonomikisht pa fund.
“Shpresa jonë është që mbështetja të vazhdojë. Në të njëjtën kohë, nuk e di sa gjatë do të vazhdojë Amerika ta japë këtë mbështetje. Këtë nuk mund ta vlerësoj”, tha presidenti turk.
I pyetur nëse kjo do të thotë që lufta mund të përfundojë shpejt, Erdoğan u përgjigj se “nuk beson se kjo do të ndodhë”.
“Dhe kjo nuk është gjë e mirë për botën. Nuk është lajm i mirë. Të mendosh kështu rëndon zemrat tona”, tha ai.
Ai sugjeroi se NATO mund të adoptojë një model të ngjashëm me qasjen e Turqisë – angazhim me të dyja palët përmes diplomacisë për të ulur tensionet.
Kritikat ndaj Evropës
Erdogan kritikoi gjithashtu qëndrimin e Evropës ndaj Turqisë, duke theksuar se edhe pse vendi është anëtar i NATO-s për më shumë se 50 vjet, ende nuk është pranuar në Bashkimin Evropian.
“Mendoj se kjo është e padrejtë”, përfundoi ai.