“Tragjeditë që ndodhën në Qipro, Karabak, Bosnjë në të kaluarën dhe në Gaza sot na kujtojnë se duhet të mendojmë përtej kufijve tanë”, tha presidenti Erdoğan
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se civilët në Gaza, ku po ndodh katastrofa më e rëndë humanitare e kohërave moderne, po e përjetojnë ferrin, raporton Anadolu.
Erdoğan mbajti një fjalim në Samitin Joformal të Organizatës së Shteteve Turke (OTS) që po mbahet në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.
“Tragjeditë që ndodhën në Qipro, Karabak, Bosnjë në të kaluarën dhe në Gaza sot na kujtojnë se duhet të mendojmë përtej kufijve tanë”, tha ai.
Sipas tij, është e nevojshme të kundërshtohet ekspansionizmi pa kufij i Izraelit dhe të mbështetet integriteti territorial i Palestinës si dhe i Libanit dhe Sirisë.
“Si bota turke, kontributi ynë në vendosjen e një armëpushimi, shpërndarjen e pandërprerë të ndihmës humanitare, rindërtimin e Gazës dhe përpjekjet për një proces të përhershëm paqeje janë të rëndësishme”, u shpreh ai.
“Civilët në Gaza, ku po ndodh katastrofa më e rëndë humanitare e kohërave moderne, po e përjetojnë ferrin”, shtoi presidenti turk.
Duke folur për OTS, ai tha se si shtete turke, ata janë bartës të një trashëgimie të rrënjosur thellë që kombinon urtësinë e Lindjes me dinamizmin e Perëndimit në kryqëzimin e historisë dhe qytetërimit.
“Ne i kushtojmë rëndësi të madhe bashkëpunimit brenda organizatës për suksesin e Korridorit të Mesëm dhe presim mbështetjen e shteteve anëtare”, tha Erdoğan.
“Fotografia familjare e botës turke do të jetë gjithmonë e paplotë pa praninë e Republikës Turke të Qipros Veriore”, shtoi ai.
Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, presidenti turk tha: “Ne do të vazhdojmë kontaktet tona intensive me të dyja vendet drejt arritjes së një armëpushimi gjithëpërfshirës dhe një paqeje të drejtë”.
Erdoğan gjithashtu shprehu besimin se do të ishte shumë domethënëse të shpallej 15 dhjetori si Dita Botërore e Gjuhës Turke në Konferencën e 43-të të Përgjithshme të UNESCO-s.