Erdogan njoftoi fjalim në SHBA, për pretendimet se ka biseduar me djalin e Trumpit për Gazën tha: “Të shurdhërit shpikin gjëra”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka udhëtuar për në New York ku do të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe me këtë rast iu drejtua gazetarëve duke folur për situatën në Gaza si dhe për vendimet e vendeve perëndimore që ta njohin Palestinën si shtet të pavarur.

Erdogan tha se këtë vit pritet pjesëmarrja e më shumë se 140 vendeve në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive në diskutimet e Asamblesë së Përgjithshme, ku janë të përfaqësuara të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.

Nuk ka justifikim që zgjidhja e krizave humanitare, veçanërisht, t’u lihet në dorë vendeve me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. Bota është më e madhe se pesë (anëtarët e përhershëm të KS-së)”, tha ai.

Ai njoftoi se ditën e parë të sesionit, më 23 shtator, do t’i drejtohet asamblesë.

Në fjalimin tim do të ndalem posaçërisht te katastrofa humanitare dhe krimet në Gaza. Do të flas gjithashtu për përpjekjet e Turqisë për të siguruar stabilitet në rajon dhe kontributin e saj për ruajtjen e paqes ndërkombëtare. Të drejtat e vëllezërve dhe motrave tona në Republikën Turke të Qipros së Veriut do të jenë sërish në rendin tonë të ditës. Do të kem përsëri mundësinë t’ia shpjegoj botës tërë politikën e jashtme të Turqisë, e cila zhvillohet me vizion të thellë, qasje dhe perspektivë të frymëzuar nga shqiponja dykrerëshe selxhuke”, tha ai.

Ai u ndal edhe te çështja e njohjes së shtetit të Palestinës.

Ajo që e veçon këtë Asamble të Përgjithshme nga të tjerat është fakti që shumë vende do ta njohin Shtetin e Palestinës. Shpresojmë që këto vendime për njohje do ta përshpejtojnë implementimin e zgjidhjes me dy shtete. Natyrisht, prania e qeverisë së re të fqinjit tonë, Sirisë, e cila fitoi lirinë me revolucionin e 8 dhjetorit pas një periudhe të përgjakshme dhe të errët 14-vjeçare, është një zhvillim shumë i mirëpritur për ne. Besoj se kjo Asamble e Përgjithshme do të kontribuojë në paqen e qëndrueshme për vëllezërit dhe motrat tona siriane, të cilët kanë vuajtur shumë dhe kanë paguar një çmim jashtëzakonisht të lartë për lirinë e tyre”, tha ai.

Në fund, Erdogan iu përgjigj pretendimeve të kryetarit të opozitës CHP, Ozgur Ozel, se gjoja është arritur një marrëveshje për Gazën nëpërmjet djalit të Donald Trumpit.

A ka qenë ai me ne? Ju nuk e besoni vallë një gjë të tillë? Miq, nuk dua t’i ofendoj të shurdhët, por të shurdhët nuk dëgjojnë dhe shpikin gjëra. Ai njeri gjithmonë shpik gjëra. Zëdhënësi i partisë sonë e dha përgjigjen e nevojshme në mënyrën më të mirë. Dhe ne do ta japim përgjigjen e duhur në mënyrë shumë më të gjerë herën e parë që të kemi mundësi. Ne kurrë nuk e kemi konsultuar, as nuk do ta konsultojmë, Ozgur Ozelin për blerjen e avionëve. Ai sidoqoftë nuk i kupton këto gjëra. Nuk është fusha e tij e ekspertizës. Prandaj, nëse do të kryenim ndonjë transaksion me z. Trump, qoftë midis Turqisë dhe SHBA-së, nuk do ta bënim përmes djalit të tij. Do ta bënim drejtpërdrejt me vetë Trumpin”, përfundoi Erdogan.

 

Kategoritë
BotaLajme