Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, komentoi marrëdhëniet aktuale në Evropë dhe deklaroi se qëllimi i Ankarasë është të zhvillojë lidhjet me Bashkimin Evropian. Ai theksoi se vendet po përballen me një nga sfidat më të mëdha të sigurisë në këtë periudhë.
Në një fjalim ku trajtoi shumë tema, Erdogan tha se Turqia dëshiron të ndërtojë marrëdhënie me BE-në mbi bazën e interesave të përbashkëta, respektit të ndërsjellë dhe me një perspektivë të orientuar drejt anëtarësimit të plotë.
“Po i kujtojmë ata. Dalja e fundit para urës është Turqia. Duket se debatet e fundit, veçanërisht në kontekstin e Ukrainës, kanë shkaktuar shqetësime në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. BE-ja po përballet me një nga sfidat më të mëdha të sigurisë në kohët e fundit. Vlera e qasjes së ekuilibruar, konsekuente dhe parimore të Turqisë në luftën Rusi-Ukrainë që nga dita e parë, sot kuptohet edhe më mirë”, tha Erdogan.
Ai theksoi gjithashtu se shpreson që Evropa të kuptojë rolin e Turqisë.
“Shpresojmë që miqtë tanë evropianë ta kuptojnë rolin e Turqisë së re në riformësimin e botës dhe të përcaktojnë strategjitë e tyre në përputhje me këtë. Besoj se, kur të krijohet kjo mirëkuptim i përbashkët, marrëdhëniet mes Turqisë dhe Evropës do të zhvillohen shpejt në të gjitha fushat”, tha presidenti turk.
Duke folur për situatën në Lindjen e Mesme dhe rajone të tjera të botës, Erdogan tha se “tërmetet ndihen kudo”.
“Për ta thënë më qartë, sistemi global, për të cilin pretendohet se bazohet në rregulla dhe ligje, ka hyrë në një fazë kolapsi. Ata që kanë goditur më fort rendin ndërkombëtar me çekiç janë vetë themeluesit e tij. Të gjithë po i dëgjojmë zhurmat e këtyre tërmeteve në shumë pjesë të botës, veçanërisht në Palestinë, Liban dhe Ukrainë. Këtë epokë të re synojmë ta presim duke u çliruar nga barrat mbi shpinë dhe duke thyer prangat në këmbët tona”, përfundoi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.