Erdoğan: Bota islame ka mjetet dhe aftësinë për të zmbrapsur ambiciet ekspansioniste të Izraelit

Sulmi i Tel Avivit, i cili shënjestroi ekipin negociator të grupit palestinez Hamas në Katar, e ka çuar “banditizmin e Izraelit” në një nivel të ri, tha president turk.

Samiti aktual arabo-islamik në kryeqytetin e Katarit, Doha, i mbajtur pas sulmit izraelit të javës së kaluar në qytet, demonstron mbështetjen e palëkundur të botës islame për shtetin e Gjirit, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se bota islame ka kapacitetet e nevojshme për të penguar ambiciet ekspansioniste të Izraelit, raporton Anadolu.

Sulmi i Tel Avivit, i cili shënjestroi ekipin negociator të grupit palestinez Hamas në Katar, e ka çuar “banditizmin e Izraelit” në një nivel të ri, tha Erdoğan në fjalimin e tij në Samitin e Jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OIC) dhe Ligës Arabe.

“Po përballemi me mentalitetin terrorist (të Izraelit) që ushqehet me kaos dhe gjak, dhe me një shtet që e mishëron atë”, shtoi ai.

Është e pamohueshme se qëllimi i qeverisë Netanyahu është të vazhdojë masakrat dhe gjenocidet në Palestinë, ndërsa gjithashtu të shkaktojë paqëndrueshmëri në rajon, tha ai, duke shtuar se “ne duhet të intensifikojmë përpjekjet tona diplomatike” për të rritur sanksionet ndaj Izraelit.

“Bota islame ka mjetet dhe aftësinë për të zmbrapsur ambiciet ekspansioniste të Izraelit”, tha Erdoğan, duke theksuar se Izraeli duhet të vihet nën presion edhe ekonomikisht.

Ai shtoi se Ankaraja do të vazhdojë luftën e saj të palëkundur derisa shteti palestinez të krijohet në bazë të kufijve të vitit 1967, me integritet territorial dhe Kudsin Lindor si kryeqytet.

Turqia gjithmonë qëndron pranë aleatit të saj mik dhe vëllazëror, Katarit, përsëriti presidenti turk, duke shtuar se Ankaraja është e gatshme të ndajë aftësitë e saj të industrisë mbrojtëse me vendet vëllazërore.

“Ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin tonë për të fituar në dekadat e ardhshme”, shtoi Erdoğan.

Kategoritë
BotaLajme