Më shumë se 88 mijë fletëvotime që i përkasin Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale nga Sllovenia janë sjellë në Kosovë, për të mundësuar votimin me postë të diasporës.
Të mërkurën, më 17 shtator është planifikuar të fillojë procesi i votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës, por kjo do të varet edhe nga momenti se kur votuesi do të pranojë pakon me fletëvotime nga posta.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar se pasi kanë pranuar fletëvotimet, do të përgatiten pako të veçanta për secilin votues, të cilat do t’iu dërgohen votuesve të regjistruar.
Sipas Elezit, afati për votimin jashtë vendit është 25 ditor dhe do të vlejë për rreth 43,933 shtetasit e Kosovës të cilët janë bërë pjesë e procesit zgjedhor.
“Periudha e votimit përmes postës vlen vetëm për votuesit jashtë Kosovës që janë regjistruar për votim përmes postës në periudhën 23 korrik dhe është përmbyllur me datë 29 gusht 2025. Sipas afatit të vendosur nga KQZ, janë 25 ditë në dispozicion, për të mundësuar votimin përmes postës i cili do të do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor. Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, në zgjedhjet lokale do të kemi vetëm votim përmes postës sepse votimi në përfaqësi diplomatike, nuk aplikohet në këto lloj zgjedhjesh”, ka thënë Elezi.
Sipas KQZ-së, së shpejti do të publikohen adresat e kutive postare që do të hapen në shtete të ndryshme.
Po ashtu, sipas shpjegimeve nga KQZ, shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, largohen nga Lista e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe rrjedhimisht nuk mund të votojnë në Kosovë.
Ndërkaq, shtetasit që nuk janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, do ta gjejnë emrin e tyre në Listën e Votuesve brenda Kosovës.