Disa deputetë të partisë ekstremiste të djathtë AfD në Bundestag kanë dorëzuar një apel në Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë kundër planit të CDU-së dhe SPD-së për të ndryshuar Kushtetutën gjermane në lidhje me të ashtuquajturën “frenë e borxhit”.
Plani i liderëve të këtyre dy partive, Friedrich Merz (CDU) dhe Olaf Scholz (SPD), është të përfitojnë nga legjislatura aktuale e Bundestagut gjerman, ku, së bashku me deputetët e partisë së Gjelbërve, kanë numrin e mjaftueshëm të votave për të ndryshuar Kushtetutën.
Megjithatë, AfD ka vendosur të “minojë” këtë plan. Disa deputetë të kësaj partie kanë paraqitur një apel në Gjykatën Kushtetuese për të penguar mbajtjen e seancës që është planifikuar për të enjten.
Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë ka konfirmuar se ka pranuar ankesat, por nuk ka bërë të ditur se kur do të marrë një vendim.
Kujtojmë se në legjislaturën aktuale të Bundestagut, CDU dhe SPD kanë 403 deputetë, pra 86 më pak se shumica e nevojshme prej dy të tretash.
Duke qenë se grupi i katërt më i madh, ai i partisë FDP, ka deklaruar publikisht se është kundër këtyre ndryshimeve, dhe duke marrë parasysh që CDU dhe SPD nuk duan të kërkojnë mbështetje nga ekstremistët e djathtë të AfD-së, vendimi për ndryshimin e Kushtetutës gjermane do të varet nga votat e 117 deputetëve të të Gjelbërve.
Në legjislaturën e ardhshme të Bundestagut, CDU dhe SPD do të kenë 328 nga gjithsej 630 deputetë, duke u mundësuar të formojnë një qeveri, por mbeten larg shumicës së nevojshme prej dy të tretash.
As me ndihmën e të Gjelbërve, të cilët në legjislaturën e re do të kenë 85 deputetë, nuk do të mund të arrijnë këtë shumicë. Në Bundestagun e ri, i cili ka më pak anëtarë se ai i mëparshmi, shumica e nevojshme prej dy të tretash do të përbëhej nga 420 deputetë.