Eksperti i sigurisë: Serbia po tenton të krijojë kaos në Graçanicë, po përhap dezinformata për KFOR-in dhe Policinë e Kosovës

Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, ka thënë se Serbia po bën përpjekje të nxisë reaksionin e qytetarëve serbë në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka deklaruar se llogari serbe në rrjetin social rus Telegram, të ndërlidhura me Listën Serbe, po përhapin dezinformata për KFOR-in dhe Policinë e Kosovës.“Llogari serbe, në rrjetin social rus Telegram, të ndërlidhura me Listën Serbe, po bëjnë përpjekje për kaos në Komunën e Graçanicës, në jug-lindje të Prishtinës”, ka shkruar Musliu.

Sipas tij, këto llogari po përhapin dezinformatën se gjoja “KFOR-i i ka paralajmëruar se, Policia e Kosovës do të ndërhyjë në shtëpinë e shëndetit në këtë vendbanim”.

“Kjo përpjekje është e sinkronizuar me deklaratën e sotme të Aleksandar Vuçiqit se, ‘janë sulmuar të gjitha vendbanimet – enklavat – serbe’. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje e re e Serbisë që të nxisë reaksionin e qytetarëve serbë në Kosovë!”, ka përfunduar eksperti i sigurisë.Ndryshe, të premten me urdhër të Prokurorisë, Policia ka zhvilluar një aksion në mbylljen e strukturave paralele të Serbisë që kanë operuar brenda Republikës së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ai ka njoftuar se me këtë rast në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës.

“Mbesim të përkushtuar në fuqizim institucioneve të Republikës së Kosovës, në respektim të plotë të Kushtetutës sonë dhe unitaritetit të saj. Koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

idhur me këtë ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka vazhduar me spekulime kundër aksioneve të Policisë së Kosovës  ndaj strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.

“U sulmuan fshatrat serbe. Pjesëtarët e Policisë së (kryeministrit të Kosovës, Albin) Kurtit kanë bastisur sot autoritetet e përkohshme në Pejë, Osojan dhe Klinë”. Këto janë vetëm disa prej insinuatave të Vuçiqit në konferencën e së premtes për media në Pallatin e Serbisë. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi