“Nuk mendoj se ndonjë vend arab ose jo-arab do të pranonte të adresonte këtë çështje. Pasi kjo situatë mund të shkaktojë konflikt”, tha Rashwan
Egjipti deklaroi se nëse “forcës ndërkombëtare” që planifikohet të vendoset në Rripin e Gazës do t’i jepej detyra për çarmatosjen e Hamasit, kjo mund të çonte në konflikt, transmeton Anadolu.
Kreu i Agjencisë së Informacionit për Mediat në Egjipt, Diaa Rashwan komentoi mbi çarmatosjen e Hamasit në Gaza në një deklaratë për mediat. Rashwan deklaroi se çështja e çarmatosjes së Hamasit u diskutua brenda kuadrit të armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit, por se çështja është ende në negociata.
“Nëse një forcë ndërkombëtare do të merrte në dorë armët e rezistencës (Hamasit), kjo forcë do të ishte në një dilemë të vështirë. Nuk mendoj se ndonjë vend arab ose jo-arab do të pranonte të adresonte këtë çështje. Pasi kjo situatë mund të shkaktojë konflikt”, tha Rashwan.
Ai theksoi nevojën për të bërë dallimin midis “Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit” që do të shërbejë gjatë tërheqjes së ushtrisë izraelite nga Gaza dhe “Bordi i Paqes”, i cili është planifikuar të ngarkohet me administrimin e Gazës.
“E para (Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit) do të sigurojë sigurinë dhe do të mbrojë kufijtë midis palëve gjatë procesit të tërheqjes izraelite ndërsa e dyta (Bordi i Paqes) do të mbikëqyrë administratën e përkohshme në Gaza”, tha Rashwan.
– Plani i SHBA-së për Gazën
Sipas lajmit të portalit “Axios”, administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, u paraqiti anëtarëve të KS-OKB-së një draft që parashikon krijimin e një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) për të vepruar në Gaza për të paktën dy vjet.
Drafti autorizon SHBA-në dhe vendet pjesëmarrëse të administrojnë dhe ruajnë sigurinë në Gaza deri në fund të vitit 2027, me mundësinë e zgjatjes së këtij autoriteti.
Sipas draftit, i cili pritet të votohet nga KS-OKB-ja javën e ardhshme, njësitë e para ushtarake pritet të dërgohen në Gaza deri në janar.
Detyrat e ISF-së përfshijnë sigurinë kufitare, mbrojtjen e civilëve dhe korridoreve humanitare si dhe krijimin e një force të re policore palestineze.










