Egjipti ka dërguar një propozim të ri për armëpushim në Gazë, kërkon nga Hamasi lirimin e më shumë pengjeve

Qeveria egjiptiane ka dërguar një propozim të ri për armëpushim në Rripin e Gazës, me qëllim ndaljen e operacioneve ushtarake që po zhvillon Izraeli në këtë territor palestinez, raporton agjencia Reuters.

Pas përfundimit të armëpushimit njëmujor, i cili kishte nisur në fund të janarit, Izraeli rifilloi bombardimet dhe operacionet tokësore në Gaza, pavarësisht një marrëveshjeje paraprake që parashikonte fillimin e fazës së dytë të një plani për armëpushim të përhershëm.

Sipas planit egjiptian, siç shkruan Reuters, Izraeli do të ndalonte operacionet ushtarake në Gaza dhe do të fillonte zbatimin e fazës së dytë të planit origjinal, që përfshin edhe tërheqjen e trupave izraelite nga territori i Gazës.

Në këmbim, grupi palestinez Hamas do të rrisë numrin e pengjeve të liruar në pesë persona çdo javë.

Reuters raporton se Shtetet e Bashkuara dhe Hamasi e kanë pranuar tashmë këtë plan, dhe tani pritet miratimi i Izraelit, i cili ende nuk ka dhënë përgjigje zyrtare.

Përveç këtyre detajeve, është bërë e ditur se ekziston një plan që lirimi i pengjeve dhe tërheqja e Izraelit të ndodhin paralelisht, ndërsa siguria do të garantohet nga SHBA.

Kategoritë
BotaLajme